Thursday, July 10, 2008

NË SHËRBIM TË ARSIMIT SHQIP NË KOSOVË DHE DIASPORË

Hamza Halabaku dhe Tahir Z. Berisha, Londër, qershor 2003

Nga HAMZA HALABAKU

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së veteranit të arsimit Tahir Z.Berisha

Tahir Z. Berisha për opinionin e gjerë është i njohur si përpilues entuziast dhe autor cilësor i disa veprave, monografive që kanë të bëjnë kryesisht me arsimin shqip në Kosovë. Ai ka qenë edhe iniciues i themelimit të shoqatës së veteranëve të arsimit shqip të Kosovës ndërsa, duke qenë prej vitesh i mërguar, në Britani të Madhe profesor Tahiri, ndonëse në moshë të shtyrë, vazhdon që me të njëjtin elan të kontribuojë në disa fusha. Këto ditë ai mbush tetëdhjetë vjet jete ndërkohë që ka mbi 60 vjet që nuk pushon puna e tij në shërbim të arsimimit të brezave të rinj dhe ndriçimit të historisë sonë.

Tahir Z. Berisha i takon plejadës së atyre pishtarëve të parë të arsimit shqip, të cilët menjëherë pas përfundimit të Luftës II Botërore, i kontribuuan më së shumti zhvillimit dhe afirmimit të arsimit dhe të kulturës sonë kombëtare. Ai karrierën e mësuesisë e filloi si 18-vjeçar, pasi u kthye nga UNÇL, në fshatin Zarbincë të Malësisë së Karadakut në Kosovën Lindore, në vitin shkollor 1945/46 dhe e përfundoi si kryeinspektor i arsimit të Kosovës në vitin 1986. Kaloi nëpër të gjitha shkallët e nivelet e arsimit si mësues, drejtor shkolle, drejtor i entit arsimor-pedagogjik, inspektor e kryeinspektor i arsimit të Kosovës. Kudo që punoi ai la gjurmë të pashlyeshme, që nga emërimi si mësues i parë në Shkollën e Zarbincës, si drejtor i Shkollës së Mesme Ekonomike në Gjilan dhe si inspektor e kryeinspektor i arsimit të Kosovës, ku shërbeu një kohë më të gjatë. Në Zarbincën e largët, edhe më parë kishte pasur tentime për hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe, por për shkak të paragjykimeve dhe botëkuptimeve të vjetra te një pjesë e prindërve, nuk kishin pasur sukses. Ndërkaq, Tahir Berisha, në saje të këmbënguljes së tij, për një kohë shumë të shkurtër, arriti që t'i grumbullojë rreth 50 - 60 fëmijë nxënës të moshave të ndryshme, në shkollën e parë shqipe në këtë lokalitet. Në shkollë menjëherë filloi të punojë kuzhina shkollore, me ushqimet që i dërgonte UNRA e atëhershme. Shumë shpejt, në sytë e nxënësve dhe prindërve të tyre, ai fitoi autoritet dhe përkrahje të plotë. Mehmet Gjevorit, atëherë inspektor krahinor i arsimit, i vinin shumë lajme dhe fjalë të mira për këtë mësues të ri. Prandaj, ai kishte vendosur, që bashkë me inspektorin e rrethit të Gjilanit, nëpërmjet Vranjës, ta vizitojë këtë shkollë duke mbetur tepër i kënaqur me punën e mësuesit dhe autoritetin që gëzonte ky në popull. Lidhur me këtë vizitë, Mehmet Gjevori kishte shkruar një reportazh të gjatë që u botua në "Jetën e Re", nr.1-2/1950 me titull "Mësuesi i popullit". Në tri shkollat e mesme të Gjilanit të gjithë drejtorët ishin serb ose malazez, ndaj ndihej mungesa e madhe e kuadrit arsimor për mësim në gjuhën shqipe, dhe shumica e lëndëve zhvilloheshin në gjuhën serbokroate. Prandaj, u shtrua kërkesa nga ana e prindërve shqiptarë, që në njërën prej tyre të emërohej një drejtor shqiptar. Kështu, kur vendi mbeti vakant në Shkollën Ekonomike, pasi drejtoresha e atëhershme serbe shkoi në Serbi, në vitin shkollor 1960/61, u mor qëndrimi që në këtë post të emërohet Tahir Berisha, si profesor i diplomuar. Në atë vit, këtë shkollë e vijonin vetëm 7 - 8 nxënës shqiptarë të shpërndarë në paralele të ndryshme me mësim në gjuhën serbokroate. Në marrëveshje dhe me mbështetjen e Rabit Rexhepit, atëherë përgjegjës i arsimit në Rrethin e Gjilanit, po në atë vit shkollor u hapën 5 paralele me mësim në gjuhën shqipe dhe filloi të sigurohet kuadri mësimor i kualifikuar (kam pasë fatin që edhe unë të regjistrohem në këtë shkollë). Mendoj se, kjo ka qenë shkolla e parë profesionale në Krahinë, në të cilën për një kohë shumë të shkurtër mësimi për të gjitha lëndët zhvillohej edhe në gjuhën shqipe. Mësimdhënës të kësaj shkolle në atë kohë erdhën Dr.Hajrullah Gorani, ekonomist, Muharrem Latifi, jurist i diplomuar, Sadullah Brestovci, historian, Mehmet Kurteshi, i vetmi mësimdhënës i diplomuar për stenodaktilografi në Kosovë, Tefik Geci, prof. i gjeografisë, Ibrahim Shabani, prof. i gjuhës shqipe, etj. etj. Në shkollë filloi të punojë kooperativa e nxënësve, kabineti i daktilografisë me 35 makina shkrimi, ku shtypej fletushka e nxënësve "Shprehja e të rinjve" në dy gjuhët dhe që udhëhiqej nga Seksioni Letrar i nxënësve në krye me arsimtarët e gjuhës etj. Shih për këtë, kësaj shkolle shumë shpejt i doli zëri dhe filluan ta vërshojnë nxënësit shqiptarë nga tërë Anamorava, Presheva, Kaçaniku, Medvegja etj. Në kuadër të shkollës, punonte edhe Shkolla (e natës) për të rriturit, që financohej nga Universiteti Popullor me disa qindra vijues. Seksionet e nxënësve të Shkollës Ekonomike të Gjilanit në gara i mbanin gati të gjitha vendet e para në qytet dhe më lartë. Nga radhët e nxënësve të kësaj shkolle më vonë dolën shumë ekspertë të dalluar, jo vetëm nga fusha e ekonomisë siç janë: dr.Musa Limani, dr. Rrahmi Nuhiu, dr.Selman Selmani, mr. Jusuf Zejnullahu (ish kryeministër i KE të Kosovës), mr. Sahit Avdiu, Mehmet Bushi, Sadik Vllasaliu, Ali Gagica, Muhamet Haxhikurteshi etj., por edhe poetë e ekspertë të tjerë të gjuhës dhe letërsisë shqipe si dr.Faik Shkodra, Beqir Musliu, H.Halabaku etj. Mirëpo, ky zhvillim i hovshëm i kësaj shkolle, pas largimit të S. Hasanit nga Gjilani, si duket u pengonte disa qarqeve e rretheve nacionaliste e shoveniste të Gjilanit, në krye me Zallko Gjorgjeviqin, sekretar i komitetit të Rrethit të LK. Prandaj, pas dy - tri vjetëve, të punës së saj të suksesshme, filloi rrënimi i themeleve të kësaj shkolle të cilën e shpallën si "çerdhe të nacionalistëve shqiptarë", duke ia hedhur "fajin" drejtorit Berisha si "iniciator i çdo gjëje". Tahir Berisha, u detyrua ta braktiste Gjilanin dhe të kalojë në Prishtinë, si përkthyes në redaksinë e "Gazetës zyrtare të KSA të Kosovës". Në vitin 1970, kur Kosova fitoi kompetencat që me ligjet e veta t'i themelojë shërbimet e ndryshme pavarësisht nga Serbia, Tahir Berisha, si i vetmi kandidat u emërua inspektor në shërbimin e posa themeluar të inspekcionit arsimor të Kosovës, ku shërbeu plot 15 vite (1970 - 1985). Ky shërbim me Kushtetutën e vitit 1974, fitoi kompetenca më të gjëra si në mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave ligjore në arsimin e Kosovës, ashtu edhe sa i përket kualifikimit të punëtorëve tanë në punë të përkohshme në botën e jashtme dhe shkollimin e fëmijëve të tyre në diasporë.

Nismëtar procesesh dhe autor veprash me peshë

Në botimet voluminoze "Emra që nuk harrohen", veterani Tahir Berisha shkëputi nga harresa mijëra mësues e arsimtar të popullit që i vunë themelet dhe e lartësuan arsimin shqip si për nga sasia, ashtu edhe për nga cilësia.

Krahas punës në procesin arsimor - edukativ edhe gjatë shërbimit si inspektor e kryeinspektor, Tahir Berisha, vazhdimisht u mor me shkrime dhe krijimtari letrare, duke bashkëpunuar me gazeta dhe revista të ndryshme. Këtë aktivitet ky e shtoi, sidomos pas daljes në pension në vitin 1986, duke i shkruar e botuar këto vepra: "Trojet që nuk shuhen - Shënime nga Vërbani dhe Anamorava", Prishtinë, 1993, ribotimi 1995; "Emra që nuk harrohen - Arsimtarët veteranë (1941 - 1951) dhe arsimi shqip në Kosovë", I, Prishtinë, 1995; "Emra që nuk harrohen - Arsimtarët veteranë (1941 - 1951)", II, Prishtinë, 1996; "Rrëfime në veten e parë", Prishtinë, 1998; "Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova", Londër, 2001; "Emra që nuk harrohen - Arsimtarët veteranë (1941 - 1951)", III, Prishtinë, 2005; "Në fokus të ngjarjeve - Bisedë më Sinan Hasanin", Prishtinë, 2005; "Emra që nuk harrohen - Arsimtarë shqiptarë në diasporë", IV, Prishtinë, 2006 (në bashkëpunim me H.Halabakun dhe Ç.Bytyçin); Në bashkëpunim me Rabit Rexhepin, përkthyen tekstin shkollor "Byroteknika", për shkollat ekonomike; Në botimet voluminoze "Emra që nuk harrohen", Tahiri shkëputi nga harresa mijëra mësues e arsimtarë të popullit që i vunë themelet dhe e lartësuan arsimin shqip si përkah sasia, ashtu edhe për nga cilësia. Tahiri i përkiste shtresës ajkë të kësaj armate. Shumica e veprave të Tahir Berishës janë promovuar dhe prezantuar në: Prishtinë, Preshevë, Shkup, Tiranë, Elbasan, Stamboll të Turqisë, Gllasgou të Skocisë dhe në Londër të Anglisë. Nga disa ekzemplarë të tyre u janë dhuruar Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Prishtinës, Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë, Bibliotekës Komunale në Viti dhe Bibliotekës Britanike në Londër. Tahir Berisha, ka qenë iniciator për themelimin e Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës dhe koordinator i punës së Manifestimit Unikal "Takimet e Veteranëve të Arsimit" që u mbajtën për çdo vjet (1982 - 1999) në qendra të ndryshme të Kosovës. Si sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës që nga themelimi i saj në vitin 1981, ai ka bashkëpunuar me Shoqatën "Normalisti" të veteranëve të arsimit të Shqipërisë, duke u përpjekur për integrime gjithëkombëtare në fushën e arsimit. Gjatë shërbimit aktiv, Tahir Berisha, si punëtor i zellshëm, shpesh është dekoruar dhe ka marrë mirënjohje të ndryshme, duke përfshirë edhe Urdhrin për punë me kurorë të artë të Kryesisë së RSFJ-ës (Nr.42 dt. 13.V.1982, të nënshkruar nga Sergej Krajgeri). Ndërkaq, ai hoqi dorë publikisht nga Shpërblimi republikan "25 Maji" në shenjë pakënaqësie dhe proteste kundër politikës zyrtare diskriminuese të organeve të Sërbisë ndaj arsimit shqip të Kosovës (shih "Rilindja" dt. 1 gusht 1990). Edhe si refugjat e mërgimtar që nga viti 1999 dhe në moshë të shtyer, ai mori disa mirënjohje si b.f. Bashkësia Shqiptare "F.Konica" në Britani të Madhe, me rastin e 77 vjetorit të lindjes së tij në "Ditën e Mësuesit", 7 mars 2005, për kontribut dhe merita të veçanta, ia ndau një mirënjohje me shkrim. Po ashtu, edhe Bashkësia e Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër (me rastin e 8 vjetorit të themelimit të saj), i ndau mirënjohje me shkrim, kurse Shoqata "Dituria" në Londër, për kontributin e çmuar në fushën e publicistikës, Tahir Berishën e emëroi kryeredaktor nderi të gazetës "Koha Shqiptare" në Hounslow të Britanisë së Madhe. Edhe pse shumë i ri, ka qenë pjesëmarrës aktiv i LNÇ-së. Gjithmonë është dalluar si në mësime, ashtu edhe në punë, shih për këtë Tahiri, gjithmonë ka qenë nën mbikëqyrjen dhe survejimin e organeve të sigurimit shtetëror (UDB). Madje dy herë është përjashtuar nga partia dhe nga procesi edukativo - arsimor. Portretin e tij më së miri e ka përshkruar Rabit Rexhepi, i cili si përgjegjës i arsimit në Rrethin e Gjilanit, e ka njohur më së miri dhe  drejtpërdrejtë e ka përcjellë tërë punën dhe aktivitetin e tij një kohë të gjatë. Ai thotë se "Tahir Berisha me mund dhe vullnet të pashoq, porsi tiktaku i orës së mirë, për gati pesë dekada i kontribuoi vetëdijesimit të popullit shqiptar... Mu për këtë ishte gjithmonë në shënjestër, nga e cila shmangej falë aftësive të tij dhe punës së palodhshme dhe me përkushtim...". Herën e parë u përjashtua nga partia dhe procesi arsimor gjatë aksionit për mbledhjen e armëve dhe shpërnguljen e shqiptarëve për Turqi, në vitin 1956 (edhe pse ishin vetëm dy arsimtarë shqiptarë në Gjimnazin e lartë të Gjilanit). Si faje iu zunë për të madhe pse ishte i biri i Zeqë Vërbanit, "ka studiuar gjuhën shqipe" dhe "ka shkruar vjersha nacionaliste" etj. Për këtë arsye u detyrua disa vjet të largohet nga profesioni dhe të merret me përkthime. Pas Plenumit të Brioneve një komision i posaçëm (ku kishin marrë pjesë edhe Enver Rexhepi e Shefqet Mustafa), duke e studiuar "dosjen" e tij, kishte konstatuar pafajësinë e tij dhe ky prapë kthehet në arsim. Vjersha "Ty o Vremç bujar" për të cilën u fajësua Berisha është botuar në revistën "Zëri i Rinisë" nr. 9/1945, ku ishte redaktor përgjegjës Masar Myrtezai.

Personifikim i përpjekjeve për afirmimin e arsimit shqiptar

Tahir Berisha, gjithmonë ishte dhe është optimist dhe veprues në jetë. Në asnjë detyrë nuk ishte nën nivelin e kërkesave profesionale të punëve që i ngarkoheshin. I afërt dhe i dashur për nxënësit, prindërit dhe bashkëpunëtorët. Ai mbetet dëshmi e gjallë e sfidave dhe e përpjekjeve për afirmimin e arsimit shqip në Kosovë dhe në diasporë gjatë fazave më të vështira të zhvillimit të saj.

Edhe si inspektor e kryeinspektor i arsimit të Kosovës, Tahir Berisha qe mjaft i suksesshëm edhe pse edhe në këtë shërbim elementet burokrate e shoviniste u përpoqën që ta pengojnë në punë. Janë të njohur "Rasti i Hogoshtit", "Rasti i Ivajës së Kaçanikut" dhe "Rasti i Mushnikovës" së Prizrenit, ku ishte në pyetje hapja e klasave të larta të gjimnazeve, për shkollimin e vajzave shqiptare. Por, Tahiri gjithmonë doli fitues se asnjë aktvendim nuk iu anulua nga instancat më të larta. Një problem tjetër që pati marrë përpjesëtime të gjëra ka qenë fushata e shitjes së dëftesave e diplomave nga ana e disa shkollave të Krahinës. Kjo dukuri ka qenë aq e përhapur sa që gati tërë Jugosllavia vinin në Kosovë dhe për disa orë furnizoheshin me "kualifikime" shkollore. Këtë dukuri Tahiri e pengoi. Mirëpo, individët me ndikim vinin me limuzina nga Mali i Zi e republikat tjera dhe ankoheshin kundër kryeinspektorit tek ministri serb i arsimit të Kosovës. Ka qenë karakteristik rasti i Shkollës teknike të Mitrovicës, kolektivi i së cilës gjatë kohës së mësimit të rregullt, në krye me drejtorin, nga 15 ditë qëndronte në Bosnje, duke lëshuar dëftesa në Universitetet Popullore. Kur kjo çështje erdhi në rend të ditës të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës dhe shtypi filloi të shkruaj në vazhdime, drejtori i kësaj shkolle, Millan Perka, që kishte ndikim edhe si luftëtar, mori përsipër që ta shkarkoj nga detyra këtë inspektor "agresiv" që gjoja po ua "cenonte" autoritetin disa shkollave dhe drejtorëve të tyre. Ai më dt. 28. 02. 1971 e botoi në Rilindje një "letër të hapur" kundër këtij inspektori, por pa kurrfarë argumentesh. Prandaj, në të njëjtën gazetë me dt.6.III.1971, pasoi përgjigja e inspektorit me titull "I mbyturi kapet edhe për kashte" duke cituar me fakte konkrete malverzimet në këto shkolla. Për ta ruajtur disi autoritetin tek vendasit në gazetën lokale "Zveçan", Millan Perka, e botoi artikullin tjetër kundërshtues në gjuhën serbe. Së shpejti, edhe kësaj radhe reagoi inspektori në të njëjtën dhe polemika vazhdoi në dëm të këtij "luftëtari", sepse tregtia me shitjen e diplomave u ndërpre. Në vitin 1989, gjatë regjimit të Millosheviqit, Tahir Berisha për së dyti herë u përjashtua nga Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ dhe nga të gjitha forumet tjera shoqërore - politike. Arsyetimi ishte pse nuk ishte pajtuar me iniciativën e "Radiotonit" të Beogradit për ngritjen e Fabrikës në fshatin Batusë afër Fushë Kosovës të banuar kryesisht me serbo - malazez dhe me kërkesën e ish çetnikut Bozha Markoviq, "që t'ju rrënohen shtëpitë tri familjeve të vetme shqiptare", nëse ato nuk shpërngulen vet dhe në këtë mënyrë gjoja të pengohej shpërngulja e serbëve. Grupi punues i Këshillit komunal të LSHL të LNÇ të Prishtinës i përbërë nga Sejdo Bajramoviq, Jordan Stanojeviq, Zhivorad Iviq dhe Zharko Aleksiq, përveç përjashtimit të tij nga Këshilli komunal i luftëtarëve, u rekomandoi Shoqatës lokale të Luftëtarëve të LNÇ dhe Organizatës themelore të LKJ, që Tahir Berisha të merret në përgjegjësi ideopolitike edhe në këto nivele. Për "Rastin e Fabrikës së Batusës" dhe "fajin" e Tahir Berishës, atëherë shkruan disa ditë të gjitha mjetet informative lokale dhe republikane e federative, si TANJUG - u, TV Beogradi, "Novosti", "Dnevniku" i Novi Sadit, "NIN" dhe "Ekspresi" etj. Më pas, Tahir Berisha u detyrua të dalë në pension të parakohshëm në moshën 58 vjeçare. Ekzistimin e dosjeve kundër Tahir Berishës më vonë e konstatuan historianët dhe hulumtuesit e tjerë. Kështu, Sulltane Kojçini - Ukaj në faqen 234 të librit të vet "Kuadri arsimor shqiptar në Kosovë në shënjestrën e Sigurimit Shtetëror (1945 - 1952)", Prishtinë, 1997, e citon "Dosjen" e T.B. të hartuar nga Veselin Cvetkoviqi, shef i UDB-ës së Vitisë. Ndërkaq, në librin e Dr. Hakif Bajramit, "Politika serbe për rikolonizimin e Kosovës me sllavë (1945 - 1948)", Prishtinë, 2002, në fq. 175 - 180, si edhe në librin më të ri të Bajram Shatrit, "Arsimi fillor në Kosovë në shekullin XX (Sfida, dëshmi, fakte)" në fq. 27 shkruan: "Në mesin e 782 mësuesve të apostrofuar si të rrezikshëm dhe të cilët sipas OZNës do të duhej të likuidoheshin..." u gjet edhe emri i Tahir Berishës. Tahir Berisha, gjithmonë ishte dhe është optimist dhe veprues në jetë. Në asnjë detyrë nuk ishte nën nivelin e kërkesave profesionale të punëve që i ngarkoheshin. I afërt dhe i dashur për nxënësit, prindërit dhe bashkëpunëtorët. Në trurin e tij të freskët "akoma ka yndyrë për të na fërguar edhe ndonjë vepër". Sot, Tahir Berisha mbetet dëshmi e gjallë e sfidave dhe e përpjekjeve për afirmimin e arsimit shqip në Kosovë dhe në diasporë gjatë fazave më të vështira të zhvillimit të saj. Në fund, veteranit të shquar të arsimit dhe ish profesorit tim të nderuar, zotit Tahir Berisha, i uroj shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe suksese të mëtejshme në punë.

Profesori i pensionuar që gjurmon nëpër arkivat e Londrës

Sot profesor Tahir Z. Berisha, në moshën 80 vjeçare, jeton dhe vepron në Londër, ku e hodhi fati si shumë shqiptarë të tjerë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Lexuesi ynë mendon se ai është strukur në shtrat afër stufës duke pirë çaj e duke shikuar televizionin. Jo, gabojnë ata që e mendojnë kështu profesorin tim! Profesor Tahir Berisha, sot shumicën e kohës (e kohë "ka shumë pak" siç thotë ai vetë), e kalon nëpër arkivat, muzetë dhe bibliotekat e Londrës, gjithnjë duke gjurmuar dhe shkruar për të kaluarën tonë. Edhe kur isha nxënës i tij, profesor Tahir Berisha thoshte: "Shumë gjëra për të kaluarën tonë janë të shkruara dhe të vendosura nëpër arkivat e metropoleve të Evropës, prandaj ato duhet të gjenden dhe të studiohen".

Në antologjinë e krijuesve shqiptarë në Angli

Katër veprat e fundit, Tahir Berisha i shkroi si refugjat në Londër, ku gjendet prej vitit 1999. Ai është i përfshirë edhe në Antologjinë e krijuesve shqiptarë në Angli "Lërmeni pak atdhe", Tiranë 2004. Berisha është edhe protagonisti kryesor i një filmi dokumentar, "Trokamat në jetën e një pene", të regjisorit Fatmir Terziu, Londër, 2003.

[Marrë nga gazeta "Zëri i Ditës", dt.10, 11, 12 korrik 2008]