Thursday, August 6, 2026

MASAKRA NË XHAMINË E POZHARANIT (1945)

MASAKRA NË XHAMINË E POZHARANIT

(Dëshmi për masakrat ndaj shqiptarëve në Anamoravë në vitet 1944-1945)

Nuk kishte kaluar as një muaj nga lufta në Ferizaj (2 dhjetor 1944) dhe nga ajo në Gjilan (23 dhjetor 1944) e në mes të ushtrisë partizane dhe forcave të pakënaqura që gjendeshin në male, u vranë edhe me qindra qytetarë të pafajshëm. Ishte i freskët edhe rasti i masakrit që bënë pjesëtarët e Brigadës XVII maqedone në fshatin Llashticë të Gjilanit, kur 3-4 ditë qëndruan mbi tokë kufomat e 12 fshatarëve shqiptarë, të vrarë pa kurrfarë gjykimi e marrjesh në pyetje. Në atë kohë, ndër viktimat e para nga fshati Pozharan ishte Myrtë Hasan Misini, të cilin duke shkuar me qeze në Gjilan e kishte ndalur një kolonë ushtarësh në rrugë ndërmjet fshatrave Partesh dhe Livoç. Këtë e kishin vërejtur vëllezërit Boshko dhe Stanko Ivkoviq nga Pozharani, të cilët në prag të çlirimit, sikur edhe shumë të tjerë, ishin futur në radhët e partizanëve. I kishin dhënë shenjë patrullës që ta lidhin fqinjin e tyre vetë të dytin (ky i dyti thonë se kishte qenë nga Livoçi). Kështu, kolona me dy të lidhurit kalon pranë shtëpisë së Myrtës në Pozharan, ku e hetojnë disa bashkëfshatarë dhe dy fëmijët e tij të mitur. (Bajrushi i vogël dhe Maberja), të cilët në mënyrë të vrazhdë i larguan ushtarët kur iu hudhën babait në përqafim, duke e ftuar që të hyjë në shtëpi. Ky, i zbehur në fytyrë dhe i vetëdijshëm se në çfarë rreziku gjendej, u thotë fëmijëve që të hyjnë në shtëpi se babai do të kthehet shpejt! Vërtet ai u kthye shpejt por i vdekur sepse posa kishte kaluar kolona nga fshati i kishin therur që të dy dhe kufomat e masakruara i kishin hedhur nën urë në fshatin Tankosiq.

Edhe pse pushtetin lokal e kishin në dorë kolonistët e Pozharanit dhe të Tankosiqit në krye me Sima Miliniqin, Vukashin Kovaçeviqin, Dushan Vlahoviqin, Lluka Vladushiqin, etj., fshatarët e Pozharanit shpresonin se, në saje të kujdesit që kishin treguar gjatë okupacionit për fqinjët e tyre kolonistë duke i ruajtur ditë e natë në shtëpitë e veta, këta nuk do të lejojnë që fqinjët e tyre shqiptarë t'i gjejë çfarëdo e keqe tjetër, sepse gjatë okupacionit madje edhe vetë përfaqësuesit e pushtetit të atëhershëm në Pozharan (Hysen Tërpeza si kryetar dhe Bejtë Hazir Alidema, si sekretar komune) u kishin garantuar jetë të qetë dhe të sigurt. Prandaj, këta nuk u shpërngulën në atë kohë, siç bënë disa kolonistë të fshatrave tjera. Mirëpo, pas çlirimit kolonistët lokalë shumë shpejt e ndërruan pllakën e gjithnjë e më shpesh filluan t'u kërcënohen disave nga bashkëfshatarët e vet shqiptarë për gjoja sjelljet dhe gabimet e tyre gjatë okupacionit, edhe pse gjatë tërë kohës së okupacionit nga ky fshat pësoi vetëm një person i njohur si zullumqar me emrin "Stanku i Zi". Kështu, pra, pikërisht me iniciativën e Vukashin Kovaçeviqit dhe Lluka Vlladushiqit u ftuan në ndihmë, madje edhe pjesëtarët e Brigadës XVII maqedone të stacionuar në Gjilan. Me ta, siç u kujtohet Mustafë Shabanit dhe Xhavit Alidemës, erdhi edhe Zallko Gjorgjeviqi, funksionar dhe aktivist nga Gjilani. Në praninë e tij, Vukashinit, Llukës, Tinkë Podgorcit, Tozë Drobeshit (ish-kontraçetnik bullgar) dhe shumë "argatëve" të tjerë kolonistë, më 7 janar 1945, ditën e Krishtlindjeve filloi ploja e madhe në oborrin dhe në lokalet e xhamisë së Pozharanit, ku u tubuan rreth 200-300 fshatarë të Pozharanit prej moshës 15-65 vjeçe.

Si tregon Berat Ramiqi i cili i pari kishte hëngër një flakaresh, "të burgosurit" një nga një nxirreshin nga xhamia dhe merreshin "në pyetje" në ndërtesën e mejtepit në afërsi të xhamisë, ku në praninë e personave të përmendur i priste ekipi me dru në krah. Kështu, pra ende pa arritur që të përgjigjen në pyetjet formale fillonin torturat dhe rrahjet deri në alivanosje. Të rënat, gjëma dhe britmat dëgjoheshin larg, duke ua futur tmerrin në palcë të gjithë të mbyllurve në xhami - fëmijëve, pleqve e të afërmëve të tjerë që silleshin rreth e rrotull oborrit të xhamisë, pa qenë në gjendje që t'u ndihmojnë. Kështu, pra, nga dajaku dhe torturat mizore ndër të parët vdiqën:

1. Shaban Halit Alidema, plak 70-vjeçar (ish-kryetar komune në Jugosllavinë e Vjetër),

2. Misin Xheladin Alidema (50-vjeç, i cili edhe në vitin 1915 pat pësuar duke kërcyer nga minarja e po kësaj xhamie i ndjekur nga bullgarët),

3. Ajet Fejzë Terziqi (70) dhe

4. Ahmet Mustafë Zuka (20).

Këta edhe sot i kanë varret në oborrin e xhamisë. Ndërkaq, nga grupi prej 24 vetësh, të rrahur e të shkallmuar që u dërguan në Gjilan, 16 syresh kurrë më nuk u kthyen, të cilëve, madje, nuk u dihen as varret e këta janë:

1. Osman Ali Alidema (70),

2. Shefik Ali Alidema, vëlla i Osmanit (53),

3. Tefik Osman Alidema, i biri Osmanit (35),

4. Azem Shutë Alidema (50),

5. Latif Hysen Pira (37),

6. Abaz Sadik Ramiqi (45),

7. Ali Tafë Ramiqi (60),

8. Rifat Bajram Musa (35),

9. Zenun Shaban Halimi (35),

10. Rifat Shefki Terziqi (35),

11. Bajram Rexhep Terziqi (32),

12. Rexhep Sulejman Syla (40),

13. Rexhep Gërba - Ostrogllava (65),

14. Tahir Adem Dragobuzhda (45),

15. Isak Rexhep Zuka (56),

16. Rexhep Mahmut Çerkezi (60)

Nga të burgosurit në burgun e Gjilanit i pari u mor në pyetje patrioti i njohur Hamdi Kurteshi, të cilit pas dialogut të ashpër iu kërcënua se do ta vrasë personalisht Lubo Shotra, shef i OZNE-së së Gjilanit. Ai ia drejtoi revolen në gjoks këtij plaku, i cili, duke hapur gjoksin, iu drejtua me zë të lartë: "Vramë se nuk frikësohem, pasi që askujt s'i kam borxh!" dhe ia ngjet tytës së revoles me dhëmbë, duke i thye dy - tre dhëmbë.

Është interesant dhe rrëfimi i Hamdi Salihut, (atëherë 16-vjeçar), i cili nga dritarja e vogël e burgut i kishte parë me sy duke i therur Rexhë Gërbën - Ostrogllavën, që mbeti i vdekur në oborrin e burgut dhe ca të tjerë. Ai përshkruan detajisht se si i kishte nxjerrë atë dhe të tjerët natën, duke i zbathur dhe zdeshur vetëm në këmishë e tlina dhe të lidhur dy nga dy përkrahësh i kishin dërguar në njërin nga vendpushkatimet afër ndërtesës ku edhe sot gjendet Kombinati i Duhanit në Gjilan. Ai edhe sot nuk e ka të qartë se me urdhërin e kujt kishte ardhur gardiani i burgut, Millan Jariqi, e kishte zgjidhur dhe kthyer prapë në burg, ku pas qëndrimit prej afër 4 muajsh ishte liruar si i pafajshëm.

Prej atyre që e kishin parë njëherë vdekjen me sy, nga burgu i Gjilanit, përveç Hamdi Salihut, u liruan edhe: Hamdi Kurteshi, Berat Agush Hoxha, Mulla Riza Zuka, Murat Halabaku, Muharrem Hajdari, Sylë Muharrem Hajdari (i biri i Muharremit) dhe Muharrem Emini.

Se si u trajtuan dhe u likuiduan të burgosurit tjerë nga Pozharani, mësojmë edhe nga ajo që ishte dëgjuar nga goja e vetë kolonistit, Jovan Kovaçeviq. Ai, thuhet, në gjendje të dehur disa herë kishte deklaruar se Latif Hysen Pira dhe Ali Tafë Ramiqi, gjysmë të gjallë janë futur dhe djegur në një furrë në Gjilan.

Në të njëjtën periudhë, sigurisht në bazë të raporteve negative nga baza, në brigada u burgosën dhe u likuiduan pa gjykim vëllezërit Behxhet dhe Jonuz Hazir Alidema (i pari në Pejë dhe i dyti në Mitrovicë). Përveç Myrtë Hasan Misinit që u ther në rrugën Pozharan-Tankosiq, nga pozharanasit në Gjilan u vra Ismail Hysen Kurteshi (i ati i Mehmet Kurteshit, veteran i arsimit), kurse në Viti Esat Çerkezi. Kështu, pra në periudhën 1944-1945, nën rrethana të ndryshme u likuiduan fizikisht nga organet e pushtetit të ri gjithsej 25 shqiptarë nga Pozharani, (ndërkaq, tre pozharanas: Salih Pira, Vehbi Salihu dhe Deli Ramiqi u vranë si partizanë nga forcat kundërshtare dhe gëzojnë statusin e dëshmorëve të LNÇ).

Më vonë, nga pasojat e torturave në xhaminë e Pozharanit, vdiqën një nga një, pa u hetuar, edhe një numër i fshatarëve tjerë, prej gjithsej 64 personave që me rastin e këtij masakri paten marrë lëndime të rënda fizike.

Ende nuk dihet numri i saktë i personave nga rajoni i Anamoravës që u zhdukën nën rrethana të paqarta në njësitë e ndryshme partizane. Kështu, bie fjala, siç tregon plaku Rrustem Halabaku, në Brigadën IV kosovare që në atë kohë gjendej e stacionuar në rrethinën e Pejës, shpesh ndodhte që nga patrulla, zakonisht e përbërë nga dy serbo-malazez dhe një shqiptar, shqiptari të mos kthehej më pa u sqaruar mënyra e zhdukjes së tij. Zakonisht thuhej se ka dezertuar. Mirëpo, kur një natë nuk u kthye nga patrulla Hasan Xheladini nga Remniku, e pas disa ditësh i vëllai që ishte në të njëjtën brigadë, e njohu uniformën bullgare të të vëllait, të cilën tash e kishte veshur një ushtar tjetër me emrin "Aleksa" nga Graçanica, shqiptarët e kuptuan se ç'po ndodhte me ata që "i përbinte nata". Prandaj, me propozimin e Rrustem Halabakut, u vendos që më, të mos shkojnë në patrulla vetëm një shqiptar, po nga dy shqiptarë e nga dy serbomalazez.

Në mënyrë të ngjashme u vranë shumë pjesëtarë shqiptarë të brigadës edhe në kishën e Deçanit. Është i njohur rasti i tre pjesëtarëve nga fshati Mogillë dhe 4 të tjerëve nga fshati Beguncë të Vitisë. Këta kishin refuzuar që të shkojnë si të tjerët të paarmatosur kinse për t'u marrë në pyetje te komandanti e më nuk ktheheshin. Për këtë arsye Rexhep Aziz Rexhepi, që ishte më i vjetri, u thotë bashkëvendësve, Nuredin Muharrem Trenës dhe të birit të Myrtë Trenës nga Mogilla si dhe Milaim Murtezit dhe të tjerëve nga Begunca, se ai do të hyjë më i pari, e nëse heton se po i kërcënohet rrezikut si të tjerëve do të bërtasë në mënyrë që këta të jenë të gatshëm. Kështu, pra, posa hyn brenda menjëherë sulmohet me bajoneta. Prandaj bërtet, kurse Nuredin Muharrem Trena bombën e aktivizuar me kohë e hedh brenda, me ç'rast vriten shumë pjesëtarë serbomalazez, por pas një lufte të rreptë në mes të tyre mbetën të vrarë edhe këta shtatë anamoravas.

Ky rast, si duket, dhe shpërthimi i luftës në Drenicë qe shkak që të ndërpritet kjo mënyrë e likuidimit të shqiptarëve në radhët e ushtrisë partizane.

Dihet se gjatë historisë së vetë të mundimshme popullata e rajonit të Anamoravës, sikurse edhe e viseve tjera të banuara me shqiptarë, ka përjetuar shpesh masakra të llojllojshme nga okupatorët dhe pushtuesit e ndryshëm, në të cilat ka pësuar një numër dhe më i madh njerëzish. Mirëpo, për nga mënyra dhe metodat e përdorura, masakri në xhaminë e Pozharanit dallon prej të tjerëve dhe ua kalon në shumë aspekte. Së pari, këtë plojë e iniciuan dhe në zbatimin e saj morën pjesë fqinjët kolonistë kundër fqinjëve të vet shqiptarë, të cilët i ruajtën ata gjatë okupacionit. Së dyti, përpara vrasjet dhe likuidimet fizike të shqiptarëve bëheshin në luftë e sipër dhe kryheshin me armë. Ndërkaq, kjo e fundit ndodhi pas pushimit të luftës së përbashkët kundër armikut të përbashkët, në kohë të paqes dhe u zbatua me dru dhe me tortura tjera fizike.

Për këtë arsye, masakri në xhaminë e Pozharanit pati jehonë të madhe në tërë rajonin e Anamoravës dhe la vrragë të thellë edhe kujtime rrëqethëse e trishtuese te banorët e zhgënjyer dhe të mllefosur të kësaj ane, të cilët ditën e çlirimit të kësaj treve (16.11.1944) e patën pritur me shpresa të mëdha.

Në një situatë të këtillë të turbullt, e veja e Myrtë Hasan Misinit, menjëherë pas vrasjes së bashkëshortit (i cili, në shpejtësi të madhe dhe sipas porosisë së një hoxhe, ishte varrosur pa ia larë kufomën dhe pa kurrfarë ceremonish tjera, me rroba të përgjakura kinse në këtë mënyrë shkonte si "shehit"), i kishte mbledhur plaçkat më të nevojshme dhe me të dy bonjakët të nesërmen kishte ikur te vëllezërit e vet në Shkup. Më vonë ishte shpërngulur për në Turqi, por me veti e kishte marrë edhe kapotën e të ndjerit, ashtu të përgjakur dhe të shkyer nga bajonetat, të cilin e kishte ruajtur me xhelozi në fund të arkës. Para se të vdiste në Stamboll, ia kishte treguar të birit, Bajrushit, i cili edhe sot jeton atje. Ata që e kanë vizituar thonë se ky sa herë që i kujtohet ndarja e fundit me babanë e lidhur para shtëpisë në Pozharan dhe vrasja e tij mizore, e nxjerr këtë kapotë nga arka dhe i përmalluar fillon të qajë para fëmijëve të vet të hutuar, të cilët kanë lindur në Turqi dhe nuk janë në gjendje t'i kuptojnë traumat e babait që i kanë mbetur nga vendlindja.

Protestat

Shumëkush, lidhur me masakrën e Pozharanit, shprehu pakënaqësi dhe revoltë ndaj masave të pushtetit të ri, kurse Metush Zeqiri - Berisha (atëherë anëtar i Këshillit Popullor të Vendit në Goshicë) dhe bashkëvendësi i tij Jetish Bislimi - Vishi nga Vërbani protestuan haptas dhe u ankuan te Shaban Haxhiu, atëherë komandant i Brigadës VII sulmuese kosovare, e dislokuar në Lipjan.

Siç kishte treguar shpeshherë Metushi, Shaban Haxhiu në fillim nuk kishte besuar fare se mund të ndodhte diçka e ngjashme në atë kohë. Madje, kur këta kishin ngurruar që ta nënshkruajnë deklaratën iu ishte kërcënuar: "Si mendoni ju kështu - të hudhni gurin e ta fshehni dorën! A e dini ju se për përhapjen e dezinformatave të këtilla mund të merrni edhe plumb në ballë!"

"O shoku komandant, Pozharani nuk është përtej detit, prandaj shkoni dhe vërtetoni vetë faktet, e mos kërkoni nga ne emra dhe adresa se neve na kallin me robë e me fëmijë! Ju ende nuk jeni duke parë se çka po ndodh dhe si po sillen disa pjesëtarë të brigadave të ndryshme edhe pushtetmbajtësit e rinj, në anën tonë" - ia kishin kthyer këta.

Megjithatë, Shaban Haxhiu ua kishte siguruar një qerre dhe një përcjellës me emrin Dushan, i cili, siç tregonte Metushi, e fliste shqipen më mirë se ne. Ai i kishte porositur që të shkojnë në Prishtinë dhe të gjitha këto t'ia thonë Milladin Popoviqit, me të cilin, si duket në ndërkohë kishte biseduar me telefon. Në Prishtinë i kishin marrë prapë në pyetje, por u kishin thënë që atë natë të bujnë aty deri sa të kthehet kuriri me raport nga Gjilani. Të nesërmen korieri Dushan i kishte kthyer në Lipjan.

Mirëpo, të mësuar nga përvoja, këta dy vërbanas nuk kthehen drejt në shtëpi, por Metushi ndalet te miqtë në Sojevë (Xhevat dhe Ferat Sojeva që ishin anëtarë aktivë të LNÇ), ndërsa Jetishi ia mban në drejtim të Shkupit. Prej Sojevës dërgohet një njeri në Vërban për të marrë vesh se a ka gjë të re. I dërguari posa arrin në Vërban e gjen shtëpinë e Metushit të rrethuar nga pjesëtarët e "Partizanska strazhës" të Pozharanit, të cilët i kërkonin me ngulm Jetishin dhe Metushin, shtëpinë e të cilit e kishin bastisur në çdo skutë. Prandaj, ky u detyrua, madje, një kohë të qëndrojë në malin e Sharrit, ku kishte edhe shumë të arratisur të tjerë, e më vonë, disa muaj, në burgun e Ferizajt derisa u lirua nga gjykata si i pafajshëm.

Sugjerimi i Milladinit

Si duket, me urdhërin apo sugjerimin e Milladin Popoviqit ishte formuar një komision i posaçëm për të ndriçuar rastin në tërësi. Mirëpo, as skenaristët e plojës së Pozharanit, në marrëveshje dhe bashkëpunim me ata të Gjilanit, nuk kishin ndejtur duarkryq, por kishin biseduar me të gjithë anëtarët e familjeve të të vrarëve dhe të plagosurve që mos ta aktualizojnë këtë çështje, duke ua lënë fajin disa pjesëtarëve të brigadave maqedone, ish-kontraçetnikut bullgar Tozë Drobeshit etj., se përndryshe do t'i gjejë edhe më keq. Për këtë arsye, kur arriti komisioni, në kuadër të të cilit ishte edhe Hasan Dylgjeri - "Hasan Mësuesi", shumë prej atyre që u pyetën refuzuan t'i tregojnë emrat e atyre që i kishin rrahur e maltretuar, duke thënë se nuk i njohin dhe nuk ua dinë emrat. Madje, disa të tjerë, si bie fjala Q.H. kishte thënë: "Më ka shkelur kerri duke u kthyer nga mulliri", kurse B.S.: "Jam rrëzuar prej dardhës dhe jam lënduar" etj. Mirëpo, një grua plakë, duke e dëgjuar se po fliste shqip, i afrohet tinëz Hasan Dylgjerit dhe i thotë: "Biro, mos u mundo se këta nuk guxojnë për të treguar drejt, e halla po të kallëzon shkurt e shqip se të gjithë i kanë dërrmuar dajak, por u kanë thënë që të mos tregojnë se do t'ua bëjnë edhe më zi e do t'ua shohin sherrin edhe anëtarët e tjerë të familjes!"

Xhavit Alidemaj mendon se në fillim, përveç Tozë Drobeshit, u paraburgosën edhe iniciatorët kryesorë, Lluka dhe Vukashini, por së shpejti me intervenimin e Spasoje Gjakoviqit, atëherë shef i OZN-ës për Kosmet, u liruan e madje edhe u avancuan në funksione, edhe detyra më të larta.

Sikur të mos intervenonte personalisht Milladin Popoviqi, rasti i masakrit të Pozharanit sigurisht se do të përsëritej edhe në fshatrat tjera shqiptare. Kështu flitet se Lluka Vladushiqi i kishte pasë tubuar shumë fshatarë shqiptarë në xhaminë e Komogllavës, por, për fat të mirë, në momentin kritik aty kishte arritur luftëtari i njohur Ibrahim Cërnilla me disa njerëz të armatosur për të mobilizuar vullnetarë për Frontin e Sremit e kur merr vesh se për çka është fjala, pas një dialogu mjaft të rreptë, arrin që të "bindë" Llukën dhe përcjellësit e tij që të shkojnë nga kanë ardhur, duke thënë se ky këta njerëz ka ardhë për t'i mobilizuar për front dhe në këtë mënyrë i kishte shpëtuar fshatarët e pafajshëm të Komogllavës.

Pas vrasjeve - armiq

Mirëpo, për të shpëtuar nga përgjegjësia penale për masakrën e kryer, Vukashin Kovaçeviqi, Lluka Vladushiqi, etj., me ndihmën e Zallko Gjorgjeviqit që edhe vetë ishte përzier në këto punë, Vllado Popoviqit (sekretar i Komitetit të Rrethit të Partisë në Gjilan), Simo Miliniqit (komandant i komandës lokale), Lubo Shotrës (shefi i OZN-ës) dhe aktivistëve të tjerë nga Pozharani me punë në Gjilan, arrijnë që të gjithë të vrarët, në bazë të vendimeve gjyqësore "post mortum", t'i shpallin si "armiq të popullit" dhe si të tillëve t'ua konfiskojnë edhe tërë pasurinë.

Sa për ilustrim po citojmë vendimin e Gjykatës së Rrethit në Gjilan, Konf. nr. 283/46. dt. 9.02.1946, me të cilin Misin Xheladinit (një vit pas likuidimit) i konfiskohet mulliri dhe 7,16 hektarë tokë të punueshme, kurse për të vejën, 3 djemtë dhe 6 vajzat, pra, për gjithsej 10 anëtarë, nuk lihet as minimumi për ekzistencë. Prandaj, në bazë të ankesës të të birit Metushit, Gjykata e Qarkut në Ferizaj me konkluzionin e vet Pl. 58/46 dt. 10.04.1946, bën ndryshimin e pjesshëm të vendimit të Gjykatës së Rrethit në Gjilan, kështu që për 10 anëtarët e familjes së ngushtë, në emër të minimumit për ekzistencë, lihet në shfrytëzim ara "Brestovi" në atarin e fshatit Viti, në sipërfaqe prej 3,50 hektarësh, ndërsa pjesa tjetër e vendimit mbetet në fuqi.

Kështu, si duket, kaluan edhe familjet e të likuiduarve të tjerë, të shpallur si armiq të popullit vetëm në bazë të faktit se janë likuiduar nga pushteti i ri pa kurrfarë gjykimi, në vend se të bëheshin hetime pse dhe si u likuiduan.

Shënim: Koautor edhe H. Halabaku ("Zëri, Nr. 1397 dt. 6.IV.1991).

[Marrë nga libri “Trojet që nuk shuhen (Ribotim i zgjeruar)”, Tahir Z. Berisha, Botues NPB “Valton”, Prishtinë, 1995, fq.128-139]



Friday, December 27, 2024

GJALLË E I VARROSUR

Pasditja e asaj dite, kur Shpendi ishte nisur për në punë, kishte qenë e trishtueshme nga reshjet e shiut dhe bubullimat e vetëtimat e shpeshta e të forta. Mezi kishte arritur t’u ikte atyre gjëmimeve të stërzgjatura e trishtuese dhe të shkonte para makinës së vet në fabrikën e qytetit.

Nata nuk ishte plotësisht e errët, por ishte e frikshme!

Hëna sa kishte nisur të sosej atë natë të ngrohtë vere. Kishin kaluar pesëmbëdhjetë ditët e para të atij muaji, sipas njësimit të kohës me hënë. 

Në orët e vona, Shpendi po kthehej, pasi kishte përfunduar turni i dytë, nga fabrika e qytetit në shtëpinë e tij. Rruga nga qyteti, ku ishte vendosur fabrika ku punonte Shpendi, në drejtim të fshatit të tij, kalonte përskaj lagjes së të vdekurve. Varret e fshatit ishin vendosur kaherë në pjesën më të ngritur të tokës, në veri të fshatit. Ishte lagjja më e ngritur e atij fshati. 

Në kohën kur po kthehej Shpendi nga puna, pas orës njëzet e dy, edhe pse hënës i kishin mbetur më pak se dymbëdhjetë ditë, nata ishte e kthjellët. 

Dita e kaluar kishte qenë shumë e nxehtë. Kishte qenë një ditë që të zihej fryma nga vapa. 

Pas tetë orë pune para makinës, Shpendi ishte tejet i lodhur në atë kohë. Ishte edhe i mërzitur, pasi as atë ditë nuk kishte arritur t’i merrte të ardhurat e veta mujore. 

Ecte me shpejtësinë e tij të zakonshme, duke menduar për hallet e tij e të familjes! 

Sa më shumë që u afrohej varreve të fshatit, i bëhej se po dëgjonte një zë, që sikur i vinte nga nëntoka. Mendja i shkoi së pari tek odat e fshatit, ku, zakonisht, netëve të dimrit, shpesh flitej për shpirtra që ngrihen nga varri! Shpendi nuk frikësohej nga ndonjë shpirt i së keqes. S’i trembej as dreqit e as të birit të tij.

Tani, në mes të frikës e trimërisë, rritej edhe intensiteti i zërit, që vinte nga nëntoka, sa më shumë që ai i afrohej lagjes së të vdekurve. 

Kur erdhi shumë afër, krejt afër varreve, zëri që i vinte nga nëntoka u mbulua nga lehja e qenve të fshatit dhe shumë shpe-ndëve, që, në atë kohë të natës, ishin bërë personazhet kryesore në lagjen e varreve. Vazhdoi të ecte rrugës së vet, duke kthyer kokën herë pas here andej nga dëgjoheshin të lehurat e qenve dhe krrokëritja e do shpendëve. Nuk ishte frikacak fare, ama kur i kujtoheshin bisedat në odat e katundit gjatë netëve të gjata të dimrit, pasi me vete kishte vetëm një shkop të shkurtër në dorë, edhe vetë e pranonte se një dozë e vogël frike ia zinte mendimin. 

Herë ndalej e herë vazhdonte rrugën. Kur ndalej, i dukej se qentë e fshatit dhe shpendët e asaj nate po ziheshin për, ndoshta, ndonjë copë gjahu, që dikush me pakujdesi mund ta ketë hedhur në lagjen e varreve! Pastaj, mendja i shkonte se gjatë kohës së keqe të asaj pasditeje ka mundur ta pësojë ndonjë shpend dhe tani të gjallët po zihen se cili nga ata që lehnin apo që krrokëritnin do ta ketë në pronësi, në atë natë të vonë!

Kur arriti në shtëpi, shoqja e jetës, Shpresa, në dritën e llambës së vajgurit, meqë pas asaj dite me bubullima e vetëtima nuk kishte dritë elektrike, thurte xhemperin për të birin e saj, i cili dimrin që do të vinte do të ishte student i vitit të parë të drejtësisë në kryeqytet. Asnjëherë Shpresa nuk shkonte në shtrat pa u kthyer Shpendi nga turni i dytë i punës. 

- Erdhe, - i tha Shpresa Shpendit, duke u luajtur nga vendi dhe duke e hequr tjerrin nga qafa. 

- Erdha, - u përgjigj Shpendi, tek i cili lehtë vërehej zbehja në fytyrë. 

- Je lodhur shumë, apo... deshi të vazhdonte pyetjen Shpresa, po ai e ndërpreu. 

- Jam lodhur si zakonisht, po atë që kam dëgjuar rrugës, më është dukur e tmerrshme! 

- Pse, çka ashtu, si? - vazhdoi Shpresa.

- Duke ecur rrugës, tek po kaloja përskaj varreve, dëgjova diçka të tmerrshme, - vazhdoi tregimin e tij Shpendi! - Me gjasë rrufeja e ditës së sotme ka plagosur ndonjë shpend, i cili mund të ketë rënë në mes të varreve dhe i janë vërsulur qentë e fshatit. Po dëgjova edhe krrokëritje të shpendëve! Njëherë zëri m’u duk se vinte nga nëntoka, po më vonë dëgjoja vetëm lehje dhe krrokëritje ..., - vazhdoi rrëfimin e tij Shpendi. 

- More Shpend, - e ndërpreu Shpresa, dhe vazhdoi: 

- Sot vetëtima e ka vrarë Bardhin, Bardhin e Lumëbardhëve! 

- Si, si?! - u habit Shpendi. - Unë e kam dëgjuar një zë nga nëntoka. Është e mundur që këtë ta kenë dëgjuar edhe qentë e fshatit dhe shpendët që krrokëritnin trishtueshëm. Tani nuk mund të jem i qetë! Menjëherë dua të shkoj te lumëbardhët.

Derisa Shpendi kishte arritur në shtëpinë e tij, kishte bërë bisedën me Shpresën e tij, nata tashmë kishte nisur të largohej. Kur mbërriti te vëllezërit e Bardhit, kishte filluar të agonte. I ra derës me shumë fuqi. E rënia e Shpendit u dëgjua menjëherë në atë agim vere në odën e lumëbardhëve. 

Menjëherë dikush doli i veshur me pizhame dhe e hapi derën e oborrit. Shpendi e njoftoi për atë që kishte dëgjuar në lagjen e të vdekurve. Shpejt u tubuan të gjithë dhe, bashkë me Shpendin, me mjetet e nevojshme në duar ua mësynë varreve të fshatit. Kur drita tashmë po e përzinte grushtin e fundit të territ, ata ia mbërritën, me shumë vonesë, në vendin e duhur. Tani, nga aty ku ishte varrosur Bardhi, qentë gati të gjithë ishin larguar. Aty, shumë afër, kishte mbetur qeni i familjes së Bardhit dhe ndonjëri prej atyre që ishte lodhur nga përpjekjet për të treguar se diçka e tmerrshme po ndodhte nën tokë! Nga aty edhe shpendët kishin fluturuar në drurët më të afërt. 

Tani, sa më shumë që dielli dukej në horizont, hija e drurëve bëhej më e qartë dhe shtrihej gjatë ndër varre. 

Edhe qentë tërësisht kishin pushuar së lehuri, edhe krrokëritjet e shpendëve tashmë kishin pushuar! Ata sikur donin të thoshin se ne e bëmë punën tonë, tani vazhdoni ju. 

Dikush me lopata e dikush me mjete të tjera nisën zbulimin e varrit të Bardhit, të cilin e kishin mbuluar disa orë më parë. Filluan heqjen e dheut që rëndonte mbi varr, tani, të të ndjerit. Kur arritën te dërrasat, ishte shumë më lehtë.

Pas heqjes së dërrasës së parë dhe asaj të dytë, i panë ato tërësisht të përgjakura... 

Bardhi nuk kishte vdekur kur ishte varrosur. Bardhi ishte varrosur i gjallë! Ai kishte bërë përpjekje për të dalë nga ajo gropë e zezë. Po kush do ta hiqte gjithë atë dhe mbi ato dërrasa të trasha?! 

Shpendi dhe lumëbardhët, që përpiqeshin ta zhvarrosnin Bardhin, panë flokët e nxjerrë në atë vend aq të ngushtë, gishtat e përgjakur të Bardhit e thonjtë të hequr nga gishtat e dorës... 

- O Zot i madh! – pothuajse këlthitën gati njëzëri ata të familjes së Bardhit! 

Për një çast kishin mbetur të ngrirë...

* * *

Pasi rrufeja kishte rënë mbi Bardhin, në oborrin e shtëpisë së tij, me shpejtësi e kishin dërguar në spitalin e kryeqytetit, - tregoi njëri nga ata me kokën ulur, shoqëruar me lotët që i pikonin në dërrasat e varrit të Bardhit.

Mjeku kishte konstatuar se Bardhi dyzetepesëvjeçar kishte ndërruar jetë atë ditë në orët e para të pasdites. 

Edhe pse ishin respektuar të gjitha ritet e vdekjes, e kishin vajtuar të afërmit e familja e ngushtë, e kishin puthur, siç pu-thet e përqafohet kufoma, të gjithë ata, e kishin larë dhe e kishin pështjellë në qefinin e bardhë, Bardhit nuk i ishte larguar vdekja klinike! 

Pasi ishte lëshuar në varr, dheu i tokës që e kishte punuar me shumë zell, ia kishte nxjerrë elektricitetin nga trupi. 

Bardhi ishte përpjekur, ama nuk kishte mundur ta hiqte gjithë atë masë dheu mbi trupin e tij. 

Familjarët dhe të gjithë të njohurit kishin mbetur të shastisur. Vdekja e Bardhit ishte shndërruar në legjendë.

* * *

Kostandini, ishte ringjallur dhe bashkë me Doruntinën kishin udhëtuar trembëdhjetë ditë rresht, derisa kishin arritur në shtëpinë e prindërve te Vranajt. 

Ai ishte ngritur nga varri për ta respektuar fjalën e dhënë. I vdekur e kishte sjellë Doruntinën apo, ndoshta, Doruntinën e kishte sjellë dashuria te zonja mëmë! 

Po Bardhin!?

Pse e varrosën aq shpejt në orët e para të asaj mbrëmjeje të ditës, me rrebeshe trishtuese breshri e shiu? 

- Nëse, pas shkatërrimit të kësaj bote, ndodh vërtet ringjallja, si do të takohemi me Bardhin? - i kishte shkuar nëpër mend njërit, pas zhvarrosjes së Bardhit!

E një tjetër kishte menduar që, po ta kishin zënë ende të gjallë, do ta kishte pyetur: 

- Si ishte nata e parë e varrit!?

[Marrë nga vepra "Ecje rrathëve të ferrit", Prishtinë, 2019]

Monday, September 16, 2024

NGAZËLLIMET E ZHGËNJIMET E NJË LETËRSHKRUESI PËR REALITETIN

Nga: Gani Bajrami

(Hamza Halabaku: “Letra mikut në amshim” – letra imagjinare mikut e shkrimtarit të ndjerë, Zejnullah Halili, botoi Shtëpia botuese “Drita press”, Prishtinë 2024, me redaktor Gani Bajrami dhe recensues Sulejman Dërmaku)

Shkrimtari dhe publicisti Hamza Halabaku, në librin e tij më të ri “Letra mikut në amshim” ka zgje­dhur që rrëfimet për aktualitetin shoqëror e politik brenda harkut kohor nga viti 2018 deri në pranverë të vitit 2023, t’ia ofrojë lexuesit në formë të letrave ima­gjinare drejtuar mikut të tij, shkrim­tarit të ndjerë, Zejnullah Halili, i cili nga kjo botë u shkëput në moshë të re, tash e 20 vjet më parë. Të rikujtojmë se shkrimtari i njohur për fëmijë, Zejnullah Halili, i cili ka lindur më 5 nëntor 1945 në fshatin Kokaj të Gjilanit në Kosovë, ka vdekur në Prishtinë më 24 shkurt të vitit 2004, pra pa i mbushur 59 vjet, në kohën kur ishte më kulm të krijimtarisë së tij letrare, sidomos në letërsinë për fëmijë.

Dhe pse pikërisht autori i 12 librave të më hershëm, Hamza Halabaku, e zgjodhi Zejnullah Halilin e ndjerë t’i shkruajë letra imagjinare? Nuk ishte vetëm pse të ndjerin e kishte mik të mirë, por letërshkruesi, duke e çmuar shumë Zejnullah Halilin, ishte i bindur se ai u takonte atyre figurave magjike letrare, që janë rrënjosur thellë në kujtesën tonë kulturore e kole­ktive. Dhe ku të gjente Hamza Halabaku një per­sonaliet më komplet, nga rrethi i miqve të tij, që si letërshkrues t’i rrëfehet më me sinqeritet, të zbra­zët duke i vënë në spikamë të bërat dhe të pabërat tona si shtet dhe si komb...

Sepse, Zejnullah Halili personalitetin e tij brilant e ndërtoi kudo ku ishte dhe kudo ku veproi, edhe si mësues, edhe si krijues letrar, edhe si drejtues i revistave letrare për fëmijë Gazeta e Pionierëve (GEP) një kohë dhe “Pionieri” më vonë, por edhe si bashkëpunëtor i Radio-Prishtinës.

Letërshkruesi Hamza Halabaku në letrat e tij, përfshirë në këtë libër, kap një trajektore, siç u përmend më lart, nga viti 2018 deri në pranverë të vitit 2023, që karakterizohet me shumë ngjarje dinamike që u zhvilluan në Kosovë dhe rreth Kosovës, e që koincidon me periudhën kohore ndërmjet 15-vjetorit dhe të 20-vjetorit të shkuarjes në amshim të poetit, mikut të tij, Zejnullah Halili. Periudha kohore për të cilën shkruan Hamza Halabaku karakterizohet me tensione të larta ndër­mjet Kosovës dhe Serbisë, me momente kur dukej se palët herë po afroheshin e herë po largoheshin, në përpjekjet për të përmbyllur një proces norma­lizimi marrëdhëniesh, që është kusht për përpa­rimin e të dyja palëve në proceset integruese në Bashkimin Evropian. Bie fjala, në mesin e ndodhive të rëndësishme për Kosovën në vitin 2018 ishte votimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, me ç’rast Kosova humbi territor dhe nuk iu liberalizuan vizat. Viti vijues 2019, sipas letër­shkruesit, ishte një vit që Kosova do të donte ta harronte, sepse asnjë nga “çështjet e mëdha” nuk u zgjidh në mënyrë efikase, edhe pse shumë pro­ble­me ishin trashëguar nga vitet e kaluara. Në fund të vitit, mezi konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas zgjedhjeve në të cilat Lëvizja Vetë­vendosje doli e para. Fundi i vitit 2019 dhe kalimi në vitin 2020, Kosovën e gjeti pa qeveri, ndonëse zgjedhjet e jashtëzakonshme u mbajtën më 6 tetor.

Rëfime që kanë shumë eleme­nte të kronikës së kohës

Kosova në vitin 2020 u ballafaqua menjë­herë me zgjedhje të jashtëzakonshme parlamen­tare, pasi LDK doli nga koalicioni dhe Qeveria e Albin Kurtit ra. Ky ishte një vit tejet i rëndë për Kosovën, e cila u ballafaqua me luftën kundër pandemisë të virusit Covid-19, si dhe me presio­nin ndërkombëtar për for­mimin e Gjykata Speciale me seli në Hagë. Edhe vitin 2021 në Kosovë e karakterizuan zgjedhjet për pushtetin qendror dhe atë komunal, tensionet e larta me Serbinë dhe lufta me pandeminë COVID-19. Në zgjedhjet parlame­ntare, të jashtëzakonshme, të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje doli fituese me mbi 50 për qind të votave. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe udhëheqësja e listës Guxo, Vjosa Osmani, zgjedhjet i cilësuan si një referendum dhe shpejt arritën t’i konstituonin organet e pushtetit. Por, krahas opozitës, e cila që në start i shpalli luftë të pakompromis udhëheqjes së re të Kosovës, vitin 2022 e përshkuan tensionet me Serbinë, me barri­kada e rrugë të bllo­kuara në veriun e Kosovës, këm­bime akuzash të forta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por edhe shtim të përpjekjeve ndërko­mbë­tare për të gjetur një zgjidhje, qoftë edhe të ndërmjetme për normalizimin e marrë­dhënieve ndërmjet të dyja palëve - Kosovës dhe Serbisë.

Autori Hamza Halabaku, në cilësi të letër­shkruesit, në këto rrëfime, që kanë shumë eleme­nte të kronikës së kohës, ka shkarkuar emocionet e veta, ngazëllimet e zhgënjimet për realitetin, për bëmat dhe të pabërat tona. Shpeshherë përjetimi i tij na del aq i detajuar, aq drithërues dhe i sinqertë njëkohësisht, ku si bazament ka ngazëllimin dhe dëshpërimin për të metat tona, si shoqëri dhe si komb. Mirëpo, letërshkruesi, me pak fjalë e fjali, në letrat e tij arrin ta zbërthejë edhe personalitetin e shkrimtarit Zejnullah Halili, duke pasqyruar karakterin dhe angazhimin e tij: “... po të shkruaj Ty, miku im i mirë, këtë letër, sepse Ti kurrë nuk ishte vetëm shikues dhe vëzhgues, por gjithnjë krijues dhe pjesëmarrës i qenies njeri, që ofron, nderon e lum­turon...”. (Letra me titull “Ta kam lakmi që nuk i sheh këta horra”, më 13 korrik 2019). Edhe pse në letrat e tij letërshkruesi nuk ka shumë fjali që e zbërthejnë personalitetin e shkrimtarit të ndjerë Zejnullah Halili, nënteksti i shumë rrëfimeve pas­qyron karakterin e fortë që kishte poeti Zejnullah Halili, i cili na del se ishte një libër i gjallë, një libër i hapur, i cili të shpaloset vetë edhe kur ti nuk do ta hapësh (Letra “Libri biografik për Thaçin dhe tregimi për një komunist nga Letnica”, më 19 shkurtit 2018).

Duke e njohur shumë herët poetin e mirë­njo­hur Zejnullah Halili si një të ri me plot jetë, energji, dinamikë, vrull për jetë dhe krijimtari, letërdërguesi Hamza Halabaku herë-herë në letrat e tij, në lundrim të kujtimeve të veta, i kthehet ndonjë momenti dhe ngjarjeje nga e kaluara, bën krahasimin me aktualitetin dhe nga nënteksti del qartë kërkesa që pranuesi i letrës ta inkurajojë, ose ta ngushëllojë për atë që po bën në raport me të. Së këndejmi, nuk mungojnë as dialogët imagjinarë me Zejnën, të cilin autori Halabaku lexuesit ia ofron si një njeri plot optimizëm, energji, dinamikë, vrull për jetë dhe për krijimtari letrare. “Po ku na mbeti njerëzorja, miku im Zejnë, ajo njerëzorja për të cilën Ti ishe në gjendje të flijoheshe në çdo moment dhe kredo Jotja, jo vetëm në poezi, por edhe në bisedat më të zakonshme ishte: Të jetosh me nder dhe të marrësh atë që të takon, është njerëzi, e njerëzorja të shpie përjetësi” (Letra “Po të shkruaj për një ngjarje rrëqethëse!”, mesi i janarit 2018).

Mbi tokë ecin shumë njerëz, por shumë pak prej tyre lënë gjurmë të ndritshme

Letërshkruesi Halabaku në letrat e tij nuk lë anash as disa motive e fakte jetësore, të cilat personalitetin e shkrimtarit Zejnullah Halili e bëjnë të madhërishëm, siç janë mjeshtëria e tij letrare, urtia, altru­izmi, humanizmi, vizioni i tij dhe atdhetarizmi në vepër. Sa e sa fëmijëve u ka mbetur në zemër sjellja e tij brilante me ta, buzë­qeshja mahnitëse që dinte ai ta ofronte, por edhe porosia e vargjeve të poezisë së tij. Dhe nuk mund të ishte ndryshe, sepse Zejna fëmijët i shihte me sytë e zemrës dhe të dashurisë, e ndiente dhe e shijonte pafajësinë e tyre, duke e frymëzuar vet­veten që tek ata të mbillte, si në një arë pjellore, gëzim, vetëbesim, guxim, vegim, optimizëm, gjallëri për jetë dhe atdhedashuri, duke nënvizuar herë pas here se Atdheu duhet me zemër (Letra “Për dukuritë negative dhe vdekjet aksidentale”, më 1 tetor 2018).

Autori Hamza Halabaku, duke e cilësuar Zejnullah Halilin si një motor që lëvizte gurë dhe dru, mendje dhe zemra, si njeriu që krijonte atmo­sferë, gëzim, vetëbesim, guxim, vegim, optimizëm, gjallëri për jetë dhe për krijimtari., tërthorazi tregon se ai i mungon shumë, për t’i dhuruar pak optimi­zëm për të nesërmen më të ndritshme në këto rrethana kur letërshkruesi mendon se koha po tregon që të këqijat nuk paskan fund! (Letra “Koha po tregon se të këqijat nuk paskan fund!”, janar - prill 2020).

Letërshkruesi Halabaku e ka të qartë se krye­personazhi i tij në këto rrëfime, Zejnullah Halili, nuk do të pajtohej me dozën e zhgënjimit, që herë-herë e shfaq në situatën aktuale, me punën e lidershipit dhe me ecjen e ngadaltë në ndërtimin e shtetit. Mirëpo, ai nuk mund ta fshehë as zhgënji­min e dëshpërimin, kur shkruan për sfidat e ndër­timit të shtetit të Kosovës, për zhvillimin sidomos të tri shtyllave kryesore të shtetit, siç janë: drejtësia, shëndetësia dhe arsimi. Nuk mund ta fshehë zhgë­njimin e dëshpërimin me sjelljen e elitave politike, duke filluar nga deputetët e deri te bartësit e fun­ksioneve më të larta, të cilët nuk janë në nivel të detyrave dhe përgjegjësive që kanë para qyteta­rëve dhe para atdheut tonë, për çlirimin e të cilit u derdh shumë gjak. Nuk mund ta arsyetojë në asnjë mënyrë paqëndrueshmërinë e qeverive të vendit, të cilat, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës me njohje ndërkombëtare, nuk arritën ta përfundonin ma­ndatin katërvjeçar, jo për shkak të përgjegjë­sisë që kishin ndaj zgjedhësve, por për shkak të shtyrjes me bërryla të klaneve të ndryshme për ta marrë pushtetin.

Këtë fjalë timen po e përfundoj me konsta­timin e autorit të librit “Letra mikut në amshim”, se mbi tokë ecin shumë njerëz, por shumë pak prej tyre lënë gjurmë të ndritshme, siç ka lënë shkrimtari i njohur për fëmijë, Zejnullah Halili (1945 - 2004).

Marrë nga Bota Sot:

https://www.botasot.info/kultura/2231297/ngazellimet-e-zhgenjimet-e-nje-letershkruesi-per-realitetin/

Tuesday, May 21, 2024

KUR KUNGULLI BLIHET PËR BOSTAN (SHALQI)

Tregim humoristik nga Hamza Halabaku

Shpendi dhe Drita ishin së bashku një kohë të gjatë. Kishin krijuar familje të gjerë. Trashëgimtarët e tyre ishin rritur e orientuar mirë. Të gjithë pasardhësit e tyre jetonin të pavarur. Edhe pse nuk jetonin nën të njëjtin kulm, pasardhësit e këtij qifti, nuk ishin larg tyre. Shpendi e Drita edhe pse kishin bërë një moshë nuk kishin fare nevojë që dikush të kujdesej për ta. Ndiheshin ende të fortë si fizikisht po ashtu edhe materialisht!

Megjithatë, pasardhësit asnjëherë nuk e linin pa i vizituar prindërit e tyre, të paktën, dy tri herë gjatë javës. Kur i vizitonin, asnjëherë, nuk u shkonin duarthatë! Ndihmat, që çdo njëri prej tyre, ua sillte kohë pas kohe, nuk ishin aq të mëdha, por Shpendi e Drita ndiheshin mirë që fëmijët nuk i harronin edhe pse nuk kishin fare nevojë për tu ndihmuar materialisht.

-I kemi gjitha të mirat, o lum nëna për juve! - u thoshte Drita, përherë, kur ata e vizitonin. Nuk keni nevojë të brengoseni për neve, mjafton që po na vizitoni. Përveç mallit që na merr për juve për tjetër gjë nuk kemi fare nevojë. Ju pastë nëna!

Në verën e saj të gjashtëdhjetë, pak pasi kishin festuar me tërë familjen këtë ditëlindje si jubilare, Drita nuk po ndihej mirë.

-Nuk e di, po, kam një etje të papërshkrueshme! Jam shumë optimiste dhe besoj që do të më kaloj shpejt, por më ka lodh. Është pak moti i nxehtë dhe ndoshta kjo ndjenjë imja, më vjen nga ky mot kaq  i nxehtë. Kjo nxehtësi është e rëndë dhe e  padurueshme për mua! Ndoshta është nga mosha...  I kishte folur, një ditë, Drita të shoqit.

Shpendi e kishte dëgjuar me kujdes dhe e kishte porositur që të ikte sa më shumë nga rrezet e diellit dhe të qëndronte nën hijet e pemëve që i kishin me bollëk në truallin e tyre, dhe ishte nisur në punët e veta.

Ajo kishte disa ditë që nuk po ndihej mirë...!

Shpendi që merrej me kultivimin e perimeve në kopshtin e tij që ishte në bregun e majtë të lumit Morava e Binçit, Ishte ndër kopshtarët më të mirë të Moravës së Epërme! Për ta vërtetuar, respektivisht, për ti bindur bashkëbiseduesit se ishte ndër kopshtarët më të mirë, ai shpesh e tregonte Mirënjohjen të cilën ia kishte dhënë Drejtoria e Bujqësisë së komunës ku jetonte.

Me që ishte ditë tregu në qytet, Shpendi herët në mëngjes, kishte përgatitur ca perime të freskëta nga kopshti i tij për ti qitur në treg. Me të hollat që i fitonte nga shitja e perimeve të tija të hershme e të freskëta, përherë blinte gjërat e nevojshme për familjen.

Perimet e radhitura e të ndara veç e veç nëpër koritat e plastikës, i kishte vendosur në qerren që e tërhiqte gjoku i tij jo shumë i fuqishëm po, me shumë sukses i kryente punët për të cilat kishte nevojë familja e Shpendit.

Pak para se Shpendi të dilte nga oborri i shtëpisë, me qerren e tij, Drita kishte dalë në krye të shkallëve në katin e parë të shtëpisë. Të lutem, Shpendi im i mirë, i kishte folur me zërin e saj të ëmbël e lutës, ma blej një bostan se mu dogj shpirti nga etja. Vazhdimisht jam përpjekur që etjen ta shuaj me ujë, por etja nuk më shuhet, se nuk më shuhet dot! Ndoshta një shalqi i freskët do të ma shuaj këtë etje e cila që nga mbrëmë nuk më hiqet se nuk më hiqet assesi!

I shoqi i Dritës, duke i mbyllur dyert e oborrit, i premtoj Dritës se do t’ ia blej shalqirin që e porositi ajo. Qëndro, si të dish e si të mundësh, deri sa të kthehem, pasdite se do ta kesh në tryezë shalqirin e porositur, i tha të shoqes dhe u nisë për në treg...

Në afërsi të Shpendit, një tregtarë tjetër, sikur Shpendi, po shiste shalqinj të rrumbullakët e laraman, pjepër, po, kishte edhe e perime të tjera dhe me gjasë edhe kunguj ...

Pasi, Shpendi i kishte shitur të mirat e veta, ishte ofruar te shitësi i shalqinjve dhe perimeve të tjera dhe e kishte pyetur për çmimin.

Pasi i kishte treguar për çmimin, shitësi i shalqinjve, Shpendi e kishte lutur që t’ia peshonte, por tani kishte treguar me gishtin tregues një kokërr, kinse të shalqirit, duke i thënë ma mat këtë të lutem!

Shitësi e kishte peshuar atë në terezinë e vet dhe Shpendi pasi kishte paguar paratë, mallin e blerë, e kishte vendosur në qerren e tij.

Me një përshëndetje “mirupafshim” në ditën tjetër të tregut, secili kishte vazhduar punën e vet!

Shpendi ishte nisur për në shtëpinë e tij me qerren dhe kalin e vet, jo edhe aq të fortë, po shumë të vyeshëm.

Kur ishte mbërri në shtëpi Drita si zakonisht e kishte pritur me fjalët më të mira. “Mirë se erdhe i miri im”! E Shpendi ishte përgjigjur me “mirë se të gjeta o e mira e shtëpisë tonë”! Bostanin e porositur e ke në qerre, nëse nuk mund ta bartësh deri te kuzhina, sapo ta rehatoj kalin, ta sjellë unë!

Drita ishte nisur drejt qerres dhe e kishte parë se në qerre nuk kishte shalqi, por ishte një kungull me ngjyrën sikur shalqinjtë laraman!

- Po çka ke bërë kështu more i miri im! Po ky qenka kungull o i dashuri im i mirë!

Të lutem Drita, unë e kam blerë dhe e kam paguar për shalqi e pse ka dal kungull nuk është ky faji im...

Botuar në:

Friday, January 20, 2023

IBRAHIM RUGOVA: ARKITEKTI I PAVARËSISË SË KOSOVËS


Në kujtim të njeriut që fitoi epitetin e arkitektit të Pavarësisë së Kosovës

Nga: HAMZA HALABAKU

Dr. Ibrahim Rugova, presidenti historik i Kosovës, tash e 17 vjet shkoi në amshim, por aq sa po kalojnë vitet, aq po hetohet se skenës së gjithmbarshme shtetërore, nacionale, kulturore dhe politike të shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, po i mungon një personalitet siç ishte ai.

Dr. Ibrahim Rugovën e njoha në gjysmën e dytë të viteve të shtatëdhjeta kur isha punësuar në Sekretariatin e atëhershëm, respektivisht Komitetin Krahinor për Arsim, Shkencë e Kulturë të Kosovës.

Në vitin 1978, isha caktuar në vendin e punës bashkëpunëtor për veprimtarinë botuese në sektorin e kulturës. Në atë sektor të administratës së atëhershme, Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të Kosovës kishte formuar Komisionin për Veprimtari Botuese dhe Film. Ky komision lejonte botimet e veprave private të autorëve që kishin vlera të larta artistike dhe i lironte nga tatimi, ndërsa nuk i lejonte për botim veprat që ishin shund dhe kiç. Dr. Ibrahim Rugova asokohe ishte anëtar i atij komisionit, kurse unë kujdesesha për procesverbalin dhe vendimet që i merrte komisioni.

Atëherë kisha filluar që të përcjell shkrimet e dr. Ibrahim Rugovës që shpeshherë botoheshin në faqet e kulturës, në gazetën tonë “Rilindja”, sidomos të shtunave, që ishte e vetmja gazetë informative dhe Abetarja jonë e të gjitha fushave në përgjithësi, e asaj të kulturës në veçanti.

Dr. Ibrahim Rugova ishte shpeshherë në faqet e “Rilindjes” me recensionet e tij për letërsinë që atëbotë krijohej në Kosovë. Shkruante për përmbledhjet me poezi të Esad Mekulit, Azem Shkrelit, Ali Podrimes, Beqir Musliut e të poetëve të tjerë që krijonin në Kosovë, por edhe për ata që krijonin e që kishin krijuar edhe jashtë kufijve të Jugosllavisë së atëhershme.

Emri i dr. Rugovës u lartësua edhe më shumë në vitet e tetëdhjeta, pas një takimi të një grupi të shkrimtarëve të Kosovës me shkrimtarët e Serbisë në Beograd, në “Francuska 7”, më 27 e 28 prill të vitit 1988”. Sipas informatave të shtypit të Prishtinës, në gjuhën shqipe, të asaj kohe (“Rilindja” e “Fjala”) grupi i shkrimtarëve të Kosovës, të cilin e ka kryesuar dr. Ibrahim Rugova kishte dal fitimtar.

Shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, në parathënien e librit të Rugovës “Çështja e Kosovës” në fq. 30 mes tjerash shkruan: “Mjafton të lexosh këtë rrëfim të gjatë të Rugovës, për të kuptuar mirë personazhin e vetë si dhe idetë dhe platformën e tij e të shqiptarëve. Por ajo që kapet edhe më qartë prej këtij libri është se sa larg dhe sa lart qëndron ky lider shqiptar në krahasim me gjithë liderët e tjerë që e kanë kthyer sot Ballkanin në log të tërbimit e të zisë”.

Në vitet e nëntëdhjeta dr. Ibrahim Rugova, si kryetar i LDK-së i vizitoi dhe i njoftoi kancelaritë kryesore të Perëndimit për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tyre etnike në Jugosllavi. Atë botë ai vizitoi Berlinin e Vjenën, Romën e Parisin, Brukselin e Londrën, Strasburgun e Uashingtonin. Kështu në kohën kur as shumica e banorëve të Lubjanës, kryeqyteti i Republikës së Sllovenisë, që ishim së bashku në të njëjtën federatë, apo që jetonim, si të thuash, në të njëjtin nën qiell, nuk dinin gjë fare për neve shqiptarëve që jetonim në Kosovë, dr. Ibrahim Rugova i njoftoi qendrat kryesore evropiane dhe ato përtej Oqeanit Atlantik se është një vend që quhet Kosovë e që banohet me një shumicë absolute shqiptare, që nuk ka asgjë të përbashkët me sllavët, sepse shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe se atyre u pengohet drita, e u është zënë fryma, u mohohen të drejtat elementare njerëzore nga pushteti serbo-sllav në krye të së cilit pushtet ishte kasapi i Ballkanit me emrin Millosheviq.

Kancelaritë evropiane dhe SHBA i besuan dr. Ibrahim Rugovës dhe i ndihmuan djemtë tanë, pjesëtarët e UÇK-së, që ashtu, gati të paarmatosur kishin dalë për të mbrojtur vendin e tyre.

Tani u bënë 17 vite nga shkuarja në amshim e dr. Ibrahim Rugovës, presidentit historik të Kosovës që ishte një intelektual i ditur, i cili në kohën më të vështirë i doli përpara popullit të vetë për ta udhëhequr me mençuri e urtësi, me guxim e dinjitet. Aq sa po kalojnë vitet, aq po hetohet se skenës së gjithmbarshme shtetërore, nacionale, kulturore dhe politike të shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, po i mungon personaliteti intelektual, inteligjent, kulturor e akademik i Dr. Ibrahim Rugovës, e sidomos vlerat, parimet, edukata, kultura, nderi, morali, karakteri, narrativi, vizioni, ideali dhe testamenti i tij intelektual, profesional, politik, shkencor dhe humanist.

Nuk munda të mos e përmend fjalën guxim për arsye se atë kohë i gjithë brezi im e din mirëfilli se nuk ishte lehtë të bëheshe lider i një populli të pa mbrojtur e të pa armatosur, pa pasur as polici e as ushtri, pa pasur as të drejtën që fëmijët tanë të shkonin në shkollat që vetë baballarët e tyre i kishin ndërtuar me djersën e vet në vitet e shtatëdhjeta. Atë botë na mungonin edhe spitalet. Na mungonte edhe informimi, sepse të gjitha dritaret informative, radioja, gazetat e televizioni ishin mbyllur nga regjimi që e përmenda më lartë.

Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova ishte një det i thellë e i qet, i urtë e i ditur, i mençur e këmbëngulës në kërkesat e tija për lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e vendit të vet. Edhe pse dinte shumë, asnjëherë nuk thoshte më shumë se Liri, Pavarësi, Demokraci, e më që kancelaritë evropiane nuk pranonin që të gjithë shqiptarët të jenë të bashkuar në një shtet, ai vazhdimisht, sa herë takohej me burrështetasit evropianë, kërkonte që Kosova të njihej si shtet i pavarur dhe sovran në kufijtë që Kosova i kishte me Kushtetutën e vitit 1974.

Dr. Ibrahim Rugova, presidenti historik i Kosovës, nuk ishte vetëm i LDK-së, po ishte i të gjithë shqiptarëve të Kosovës, ngase ai me plot mëritë e fitoi epitetin e arkitektit të pavarësisë së Kosovës.

Dhe krejt në fund, e ndiej veten shumë të vogël të shkruaj apo të flas për një korife të letërsisë e shkencës tonë, për një njeri të dijes dhe një udhëheqës politik të popullit shqiptar, për një burrë shteti siç ishte dr. Ibrahim Rugova, një personaliteti, të cilin do të donte ta kishte në historinë e vet çdo popull e çdo komb në botë.

Nuremberg, 20 Janar 2023

Botuar në: 
https://www.botasot.info/opinione/1935575/ne-kujtim-te-njeriut-qe-fitoi-epitetin-e-arkitektit-te-pavaresise-se-kosoves/

Monday, February 21, 2022

PROFESORI PENSIONIST SI MODEL I NJERIUT AMBICIOZ DHE ANGAZHIMEVE KONKRETE

Nga e djathta: Profesor Jahja Halabaku dhe autori i tekstit Hamza Halabaku

Profesionisti i dijshëm dhe i përkushtuar jo vetëm në lëndën e matematikës, si dhe intelektuali shembullor që gjithë përvojën e tij në punë e kaloi në përpjekjet për edukimin e shumë brezave shkollarësh, Jahja Halabaku, tani si pensionist është shembull i njeriut ambicioz, që kohën e kalon me angazhime konkrete

Shkruan: Hamza HALABAKU

Shumica e banorëve të fshatit Pozharan, komuna e Vitisë, i përkasin fisit Thaç dhe të këtij fisi janë edhe farefisnia e Halabakëve, lagje kjo që tani ka më shumë se njëqind shtëpi, ndërsa pjesëtarë të farefisit Halabaku ka edhe në Prishtinë, në Zvicër, në Gjermani, në Austri, në Londër e përtej Atlantikut. Halabakët e Pozharanit nga koha që unë mbaj mend dhanë shumë mësues, arsimtarë e profesorë jo vetëm për fshatin e tyre.

Njëri nga intelektualët që zë vend të merituar në familjen e Halabakëve të Pozharanit, është edhe Jahja Halabaku, i cili në vitin 1965 ka mbaruar Shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e Matematikës në Prishtinë, me një notë të lartë mesatare. Menjëherë pas kryerjes së Shkollës së Lartë Pedagogjike, ka filluar me punë në Shkollën Fillore në fshatin e lindjes, në Pozharan, ku më herët kishte qenë nxënës i dalluar në mësime e sidomos në lëndën e matematikës. Nxënësve të klasave të larta të Shkollës Fillore të Pozharanit, për katër vite me radhë, Jahjaja u kishte shpjeguar me zë të ultë e të kuptueshëm, qartë e me përpikëri lëndën e matematikës. Katër vite më vonë, një vit të tërë shkollor, lëndën për të cilën ishte kualifikuar në SHL Pedagogjike në Prishtinë, u kishte ligjëruar nxënësve të Gjimnazit të rregullt në Ferizajt.

Në vitin 1975, Jahja Halabaku diplomohet në Fakultetin e Shkencave Matematiko – Natyrore, Dega e Matematikës në Prishtinë dhe e kishte fituar titullin e profesorit të kualifikuar për të dhënë mësim në cilëndo shkollë të mesme. Nga shtatori i vitit 1969 e deri në vitin 2001, për tridhjetë e dy vite me radhë, profesor Jahja Halabaku, ka përhapë dijen e lëndës së matematikës në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti.

Më ka ndodhur shpeshherë që të takohem me ish-nxënësit e profesorit Jahja, qoftë ata të Shkollës Fillore të Pozharanit, apo ata të Gjimnazit të Vitisë dhe Gjimnazit të Ferizajt, të cilët kishin fjalë miradije për profesorin e tyre. Shumica e tyre kishin bindjen se ishte e pamundur që të mos kuptohet lënda e matematikës që e shpjegonte profesor Jahja Halabaku. Sepse, ai jo vetëm që ishte një njohës i shkëlqyeshëm i lëndës së matematikës, por edhe një pedagog shembullor që dinte t’ia afron nxënësit materien që e shpjegon, duke e menaxhuar në mënyrën më të mirë orën e mësimit. Aty ku ligjëron profesor Jahjaja, vërtetë, është orë e kuptueshme mësimi që ai e mbanë me autoritet dhe e mbikëqyr me kujdes rrjedhën e saj.

Njeri i fjalëve dhe i veprave

Matematika na mëson të jemi të përqendruar dhe të përgjegjshëm për atë që bëjmë, thotë shpeshherë Jahjaja. Unë mendoj që saktësia është një karakteristikë e matematikanëve, pasi çdo nocion dhe fenomen ka një përkufizim të saktë dhe të qartë dhe kjo mbase ndikoi që edhe Jahja Halabaku, si arsimtar dhe profesor i përkushtuar  në lëndën e matematikës, të jetë përherë njeri i fjalëve dhe i veprave.

Nga viti 1989 e deri në vitin 2000, profesori Jahja bëhet drejtor i Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Viti. Më vonë, nga maji i vitit 2001profesori i matematikës, Jahja Halabaku, angazhohet në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Komunën e Vitisë, të cilën e udhëhoqi deri në vitin 2004. Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare në arsim, Jahjaja dha një kontribut të jashtëzakonshëm për edukimin dhe arsimimin e shumë gjeneratave, ndërsa u dallua edhe si luftëtar i pakompromis për të drejtën e arsimimit të shqiptarëve në Kosovë.

Profesor Jahja Halabaku si një intelektual i dalluar dhe arsimdashës ishte i ndjekur nga pushteti serb. Ai është dënuar dy herë nga Gjykata e Vitisë, në kohën kur në Kosovë çdo gjë mbikëqyrej nga pushtetit i forcave serbe që shin instaluar që nga 5 korriku i vitit 1990. Sipas Aktvendimit UP. I nr. 4797, datë 14 tetor 1992, deri sa ishte në detyrën e drejtorit të Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës”, në Viti, dënohet me 60 ditë burg për shkak se më 12 e 13 tetor të vitit 1992, “ka organizuar tubim të pa lajmëruar,  me nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetarët shqiptarë dhe pas atij tubimi i ka dërguar drejtorit të gjimnazit (Petar Dajiq), kërkesë me shkrim, të cilën e ka nënshkruar vet, për lirimin, respektivisht hapjen e klasave  apo hapësirave të mësimit në mënyrë që të zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë të gjimnazit”. Në këtë aktvendim gjykate thuhet se  “i akuzuari Jahja Halabaku i ka keqpërdorur nxënësit, arsimtarët dhe qytetarët shqiptarë, dhe me organizimin e tubimit e ka rrezikuar sigurinë dhe rahatinë e qytetarëve të tjerë, respektivisht e ka prish rendin dhe qetësinë publike”.

Katër muaj më vonë, me 4 shkurt 1993, tani me Aktvendimin  Up. I nr. 4962  Gjykata e Komunës së Vitisë, të cilin atë kohë e udhëhiqnin kuadrot  serbe të instaluara nga pushteti i Republikës së Serbisë në krye me Sllobodan Millosheviqin, profesor Jahja Halabakun, e dënon me gjobë prej 50.000 (pesëdhjetë mijë) dinarësh, ose me dënimin me burg prej 30 ditësh.

Profesori Jahja nuk i konsideronte të papritura vendimet e gjykatës së asaj kohe për dënimin e tij, pasi ai po bënte përpjekje për të hap shkolla dhe për të shpërndarë dije për nxënësit shqiptarë në atë periudhë, të okupimit klasik që i kishte bërë Serbia Kosovës, duke i zënë frymën çdo gjëje që frymonte shqip në Kosovë e veçanërisht fushës së arsimit dhe edukimit shqip.

Kultivues i pasionuar i luleve, pemëve dhe bletëve

Profesor Jahjaja nga 11 shtatori i vitit 2009, është në pension, por jo edhe në pushim si shumë njerëz të brezit të tij, që dalin e rrinë kafeneve të qyteteve apo edhe të fshatrave, me që tani kemi shumë sosh edhe nëpër fshatra, ose ulen pranë aparateve televizive dhe shikojnë filma, debate, emisione kulturore, ngjarje historike e tjera.

Profesionisti i dijshëm dhe i përkushtuar jo vetëm në lëndën e matematikës, si dhe intelektuali shembullor që gjithë përvojën e tij në punë e kaloi në përpjekjet për edukimin e shumë brezave shkollarësh, tani si pensionist është shembull i njeriut ambicioz, që kohën e kalon me angazhime konkrete. Ai para shtëpisë së vet e ka rregulluar oborrin për mrekulli. Aty ka bërë një kopsht të shkëlqyer pemësh dhe lulesh. Profesori ka mbjellë me dorën e vet shumë lloje pemësh dhe hapësirën në mes trupave të pemëve, çdo pranverë, e mbushë me lule të llojeve të ndryshme. Të kënaqet syri kur sheh lulet shumëngjyrëshe, por edhe frutat e pemëve.

Në kopshtin e tij profesori ka edhe disa koshere bletësh, të cilat thithin nektarin e luleve dhe të pemëve. Pra profesor Jahjaja është bërë një kultivues i pasionuar i luleve, pemëve dhe bletëve. Me bukurinë e ngjyrave të luleve dhe të frutave të pemëve kënaqen edhe bletët për të cilat kujdeset shumë profesori dhe natyrisht, jo vetëm ai po, edhe ata që e vizitojnë, kur është koha e mbledhjes së mjaltit, e shijojnë atë, kurse profesori dhe familja e tij kanë edhe dobinë e tyre materiale...

[botuar në zemrashqiptare.net]

Saturday, January 30, 2021

TAKIMI ME ISMAIL KADARENË


Me rastin e 85 vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë, shkrimtarit shqiptar me renome botërore, gjeniut të letrave shqipe, “Homeri shqiptar“

Nga Hamza Halabaku

Ditët e para të nëntorit të vitit 2008, në gazetat tona, që botoheshin në mërgatë, lexova se shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, do të paraqitej para lexuesve gjermanë në Munih.

Dëshira për të marrë pjesë në atë takim letrar dhe për t’u takuar me gjeniun e letrave shqipe, librat e të cilit i kisha lexuar gati një për një, më shtyri që menjëherë t’i telefonoja mësuesit të Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, djalit të dajës tim, Nusret Dërguti, në mënyrë që së bashku të shkonim në Munih, për ta parë së afërmi autorin e shumë veprave të përkthyera në shumë gjuhë të botës.

Nusreti me kënaqësi pranoi dhe premtoi se do të organizoheshim dhe në ditën që Kadare do të ishte në Munih, aty do të ishim edhe ne.

Do të shkonim në Munih për ta takuar anëtarin e Akademisë Franceze, e cila, bashkë me Kadarenë, kishte vetëm dymbëdhjetë anëtarë. Shkrimtari ynë, Kadare, në Akademinë Franceze kishte zënë vendin e Karl Popperit të Gjermanisë pasi ai kishte ikur në amshim.

Nuk kishin kaluar plot njëzet e katër orë, kur mësuesi Nusret më telefonoi dhe më tha se nuk do të shkonim në Munih, sepse Kadare do të vinte edhe më afër nesh.

Nuk u besova fjalëve të tij, pasi shpeshherë me mësuesin Nusret këmbejmë edhe batuta.

Por Nusreti e kishte seriozisht dhe më tregoi se Kadare do të vinte në Sulzbach-Rosenberg, që ishte 65-66 kilometra në afërsi të Nurembergut, qytetit ku ne banonim. Gëzimi u shtua edhe më shumë. Kaq afër nesh do të vinte Ismail Kadare, autori i romanit “Prilli i thyer”!

Pas dy tri-ditësh gazetat lokale gjermane do të shkruanin se “në Arkivin letrar të qytetit Sulzbach – Rosenberg, më datë 14 nëntor 2008, do të organizohet një mbrëmje kulturore – letrare. Në atë njoftim të gazetave lokale përmendej shkrimtari ynë, Ismail Kadare, si dhe titulli i librit në gjuhën gjermane “Der Raub des Königlichen Schlafs” (“Vjedhja e gjumit mbretëror”), që për lexuesit gjermanë do të promovohej atë natë.

O Zot i Madh, nga ajo ditë, kur e pashë njoftimin në gazetat lokale gjermane, nuk më zihej vendi-vend. Me shumë emocione e pritja ditën e katërmbëdhjetë të atij nëntori.

Tani me mësuesin Nusret isha në kontakte të vazhdueshme. Si do të organizoheshim, si do të udhëtonim, pastaj edhe kë do ta merrnim me vete, meqë kisha dëshirë që edhe dikush tjetër të kënaqej, si unë, me korifeun, tani të letërsisë që krijohej në tërë globin...

Dy-tri ditë para 14 nëntorit, i telefonova mikut tim shumë të mirë, Rushit Bytyqi, tani i ndjerë. Kisha dëshirë që me Rushitin të ishim bashkë në atë mbrëmje kulturore – letrare, pasi që shumë herë kishim folur për veprat e Kadaresë dhe të mirat që ai i kishte bërë popullit shqiptar në botën e jashtme me letërsinë që ai krijonte. Do të takoheshim, si thoshim ne shpeshherë në bisedat tona, me mbretin e letërsisë shqiptare. Do ta shihnim për së afërmi autorin e veprave, që, nëse cilëndo prej tyre fillon ta lexosh, kurrë nuk mund ta ndërpresësh pa e lexuar të tërën. E kur e mbaron, të mbetet merak pse u krye aq shpejt!

E kisha filluar leximin e veprave të Kadaresë me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Të njëjtin roman të dramatizuar e kisha parë, në vitet shtatëdhjetë, në sallën e Teatrit Krahinor të Prishtinës, të interpretuar nga Trupa e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, me Sandër Prosin, në rolin kryesor.

Edhe pse atëherë nuk isha njohës shumë i mirë i letërsisë, më kishte lënë përshtypje të jashtëzakonshme “Gjenerali...”, po edhe romanet e tjera. Edhe “Dasma”, edhe “Dimri i vetmisë së madhe”, edhe “Kështjella”...

Përshtypje të mirë romanet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gur”, i kishin lënë edhe drejtorit të Shkollës publike “Graserschule” në Bajrot (Bayreuth), zotit Dengler, të cilit ia kisha dhënë të përkthyera në gjuhën gjermane.

“Lum ju shqiptarët, çfarë shkrimtari paskëshit”!, më kishte thënë zoti Dengler, pasi i kishte lexuar romanet.

U gëzova shumë që isha ai që i kisha ofruar zotit Dengler këto dy romane të Kadaresë në gjuhën gjermane. Këto dy romane u kisha ofruar edhe shumë kolegëve gjermanë në Bavarinë Veriore. Secili prej tyre kishte mbetur shumë i kënaqur, se kishte lexuar dy vepra të shkëlqyera dhe se ishin “takuar” përmes meje me “Homerin shqiptar”! Njiheshin, pra, me letërsinë që krijohej në Shqipëri.

Dhe, erdhi dita e 14 nëntorit. E kishim planifikuar që atë mbrëmje, të paktën gjysmë ore para fillimit të manifestimit letrar me Kadarenë, të ishim në “Arkivin letrar” të qytetit Sulzbach – Rosenberg.

Ashtu edhe ndodhi. Më tepër se gjysmë ore bashkë me Rushit Bytyqin e mësuesin Nusret Dërguti, ishim para ndërtesës së Arkivit letrar të qytetit Sulzbach – Rosenberg. Aty, në hyrje të ndërtesës, na priste një grua e sjellshme gjermane. Na pyeti kush ishim dhe nga vinim. Mësuesi Nusret i tregoi se ishim nga Nurembergu dhe se paraditen e një dite më parë, kishin biseduar përmes telefonit.

Ajo na tregoi se Kadare, bashkë me përthyesin e tij, Joachim Röhm, janë duke e shikuar ndërtesën e Arkivit.

I ngjitëm shkallët drejt dhomës ku na tha gruaja gjermane. U ngjitëm aty ku ishte mbreti i letrave të gjuhës shqipe të kohës sonë, i madhi Kadare, bashkë me përkthyesin e shumë veprave të tij në gjuhën gjermane, Joachim Röhm. Natyrisht, pasi isha më i moshuari, unë prija drejt dhomës ku ishte Kadare. Kur hipëm lart, pamë një dhomë të madhe, që ishte e stolisur me portrete të laureatëve të Çmimit Nobel dhe çmimeve të tjera më të njohura për letërsi në Evropë e më gjerë. Ishin ata që e kishin vizituar atë ndërtesë dhe kishin marrë pjesë në manifestime kulturore – letrare të organizuara me ta ose për ta.

Kur i pashë Kadarenë dhe Joachim Röhm, u emocionova shumë. I përshëndeta me një “mirëmbrëma” në gjuhën shqipe, e pastaj edhe në atë gjermane. Të dytë, Kadare dhe Röhm, na shikuan lehtë dhe secili në gjuhën e vet na e ktheu përshëndetjen.

“Ne jemi nga Kosova dhe jetojmë në Nuremberg. Ky është miku im, Rushit Bytyqi, e ky është Nusret Dërguti, mësuesi i Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe, ndërsa unë jam Hamza Halabaku, edhe unë punoj mësues në Bavarinë Veriore. Kemi ardhur që të marrim pjesë në mbrëmjen letrare”.

I thashë këto dy fjali, i emocionuar tej mase, meqë takohesha për herë të parë nga afër me njërin nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore.

Nuk e dija pse isha i tillë. Isha si një fëmijë, që gëzohet kur është duke u takuar me gjyshin e tij të moshuar e të urtë. Nuk u përmbajta dhe Kadaresë iu drejtova në gjuhën shqipe. E harrova se aty ishte edhe z. Röhm.

“Ju lutem, zoti Kadare, më lejoni që t’ju përqafoj?!”, - i thashë.

Kadare buzëqeshi lehtë dhe ma zgjati dorën. E përqafa.

Kisha dëshirë që ta përqafoja, por mos ta shtrëngoja më shumë sesa ishte e lejuar, edhe pse kisha shumë dëshirë.

O Zot i Madh, thashë me vete, më erdhi momenti që të takohem me autorin e novelës “Kush e solli Doruntinën”. Më duket se i madhi Kadare buzëqeshte me sjelljet e mia fëmijërore.

Në sallën shumë të bukur të ndërtesës së Arkivit letrar të qytetit Sulzbach - Rosenberg, ishin tubuar shumë qytetarë gjermanë, edhe ne, “një grusht” shqiptarësh, për ta takuar korifeun e letërsisë shqipe, i cili nga kritika letrare dhe lexuesit gjermanofolës çmohet jashtëzakonisht lart. Kur filloi ora letrare, pas prezantimit të biografisë të shkurtër të shkrimtarit tonë Ismail Kadare, përthyesi gjerman, Joachim Röhm, tregoi se në gjuhën gjermane janë përkthyer 17 vepra të Ismail Kadaresë (novela e romane).

Kur erdhi radha e pyetjeve të lexuesve të veprave të Ismail Kadaresë, nuk i bëra pyetje, po u përpoqa të komentoja një pjesë nga novela “Kush e solli Doruntinën”, e cila më kishte lënë pa frymë gjatë leximit. Ishte fjala për procesverbalin e personazhit Stresi. Sipas novelës, atë kohë Stresi ishte zyrtar i policisë së rrethit ku kishte ndodhur ngjarja. Ai, Stresi pra, e kishte bërë procesverbalin në oborrin e Kishës së fshatit, te varri i Konstandinit, edhe pse e kishte parë se as Doruntina e as nëna e saj dhe e Konstandinit nuk ishin në vete. E kishte vënë në dyshim punën e vet, meqë dyshonte se guri i varrit të Konstandinit kishte lëvizur nga vendi!

Kadare, si mbret i letrave shqipe, me buzëqeshje ndiqte tërë atë që flisja unë, derisa përpiqesha të thosha atë që kisha kuptuar nga leximi i novelës “Kush e solli Doruntinën”.

Nuk e foli asnjë fjalë, as kur fola unë e as kur flisnin të tjerët, po mua më ndiqte me kureshtje.

Pyetjeve u përgjigjej me një modesti dhe gjithnjë në aureolën e mbretërisë së një shkrimtari të madh.

Kur dikush, natyrisht nga ne shqiptarët që ishim aty, e pyeti për dr. Ibrahim Rugovën, për atë që e kishte thënë Ismail Kadare në veprën e tij “Ra ky mort e u pamë”, ai tha: “Koha e dëshmoi se e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Rugova më fali në takimin që menjëherë pas luftës e kishim në shtëpinë e tij”.

Kështu tha Kadare për Ibrahim Rugovën në një ndërtesë të bukur të Arkivit letrar të qytetit Sulzbach – Rosenberg. Shkrimtari shqiptar me renome botërore, mbreti i letërsisë shqipe, gjeniu i letrave shqipe, “Homeri shqiptar”, pa ngurrim e pranoi se “koha e ka dëshmuar se e drejta ishte në anën e Rugovës”.

Botuar në:
https://www.zemrashqiptare.net/news/56289/hamza-halabaku-takimi-me-ismail-kadarene.html