Hamza Nazif Halabaku lindi në fshatin Pozharan të Vitisë në vitin 1947. Arsimin fillor e përfundoi në vendlindje, ndërsa shkollimin e mesëm e kreu në Gjilan dhe Prizren. Mbaroi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Një kohë punoi mësues në fshatin Ballancë - Pozharan dhe më pas në Gjykatën Komunale në Viti.
Që nga viti 1973, punoi në Sekretariatin Krahinor për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kosovës. Në qershor të vitit 1982, u emërua ndihmës i sekretarit të Kuvendit të Kosovës.
Halabaku mori pjesë në mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990, në rolin e sekretarit të Kuvendit të Kosovës, duke qenë në atë kohë në funksionin e ndihmës sekretarit të Kuvendit të Kosovës.
Pas ngjarjeve të 7 shtatorit 1990, u detyrua të emigronte në Gjermani.
Që në shkollën fillore, filloi të publikonte shkrimet e tij në revistën shkollore “Ideali” dhe më pas në revistën e shkollës së mesme në Gjilan “Shprehja e të rinjve”.
Ka marrë pjesë në aktivitete kulturore si “Takimet e vendlindjes” në Gjilan, “Takimet e Don Mikel Tarabulluzit” në Stubëll të Vitisë, “Karvanin e Shkrimtarëve për fëmijë” në Kosovë dhe "Takimet e Gjeçovit" në Zym, etj.
Është i përfshirë në “Libri që po shkruhet”, një panoramë letrare e Luginës së Moravës së Kosovës (1979); në “Leksikonin e Shkrimtarëve Shqiptarë 1501-2001” të Hasan Hasanit; në “Orët e duartrokitjeve” të Agim Devës dhe Xhevat Sylës (2001); dhe në “Antologji e poezisë moderne shqipe - Antologie der modernen albanischen Lyrik” të autorit Ferdinand Laholli në Gjermani, ndër të tjera.
Pjesë nga krijimtaria e tij letrare janë përkthyer në gjuhët gjermane, arabe, serbokroate etj. Nga viti 1995 deri më 30 shtator 2010, punoi si mësues në shkollën shqipe të mësimit plotësues në Bavarinë Veriore. Pas 1 tetorit 2010 deri më 30 shtator 2012, ishte në fazën e para pensionit dhe më 1 tetor 2012 u pensionua.
Krijimet letrare të Hamza Halabakut janë botuar në gazeta dhe revista të ndryshme në Prishtinë, Shkup dhe diasporë, si “Rilindja”, “Bujku”, “Gëzimi”, “Bota sot”, “Pionieri”, “Doruntina” etj.
Në vitin 2021, Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë i dha Hamza Halabakut çmimin “PENA E ARTË”.
Deri tani, ka botuar veprat:
- “A ka zot”, poezi, 1993, “Asdreni”, Shkup;
- “Testament”, tregime për të rritur, 1997, “Shkëndija”, Prishtinë;
- “Kosovën e kemi në zemër”, tregime për fëmijë, 2000, “Iliriku”, Prishtinë (ribotuar me plotësime në vitin 2023);
- “Vrunduj kujtimesh”, monografi e shkollës shqipe në Bavarinë Veriore, 2003, Këshilli i Prindërve të Shkollës Shqipe në Bavarinë Veriore;
- “Emra që nuk harrohen – arsimtarë shqiptarë në diasporë IV”, me bashkautorë Tahir Z. Berishën dhe Çerkin Bytyçin, 2006, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Departamenti për Çështje Jorezidente i Kosovës;
- “Një ditë midis dy epokash” (2 Korriku dhe dokumente të tjera, që çuan deri te pavarësia), 2012, “Anton Pashku”, Prishtinë;
- “Rrjedhë motesh - Takime, kujtime, ditar...”, 2017, botim i autorit me rastin e 70-vjetorit të lindjes, Prishtinë;
- “Tahir Z. Berisha – një jetë në mision të dijes dhe të idealeve kombëtare” (bashkautor me Mujë S. Berishën), 2018, “Faik Konica”, Prishtinë;
- “Ecje rrathëve të ferrit”, tregime, 2016, “Lena Graphic Design”, Prishtinë;
- “Rrugëtim interesant - Rrëfenja”, 2021, “DritaPress”, Prishtinë;
- “U bëftë Arbëria”, poezi, 2022, “Rozafa”, Prishtinë.
- “Letra mikut në amshim” – letra imagjinare mikut e shkrimtarit të ndjerë - Zejnullah Halili, 2024, “Drita press”, Prishtinë.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Aktualisht, jeton dhe vepron në Gjermani dhe në vendlindje, në Kosovë.
No comments:
Post a Comment