Tahir Z. Berisha i plejadës së pishtarëve të parë të arsimit shqip
nga Hamza Halabaku
Me rastin e 85-vjetorit të lindjes së veteranit të arsimit
Tahir Z. Berisha për opinionin e gjerë është i njohur si punëtor i devotshëm arsimor, i cili ia kushtoi një jetë të tërë arsimit kombëtar, që nga puna e mësuesit deri te funksioni i kryeinspektorit të arsimit të Kosovës. Për punën e tij u nderua dhe nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës me Mirënjohje për kontributin jetësor në fushën e arsimit dhe edukimit.
Është edhe krijues entuziast i një pende të mprehtë, duke bërë emër me shkrimet e tij publicistike, kryesisht nga fusha e arsimit, kulturës dhe historisë kombëtare. U rrek dhe me trajtimin e problemeve shoqërore-politike të kohëve të vështira për popullin shqiptar të Kosovës dhe më gjerë, duke e ndarë edhe vetë fatin e vet me atë të bashkëkombësve të tij.
Është autor i disa veprave, por shquhet me librat monografikë për arsimtarët veteranë dhe arsimin shqip në Kosovë të periudhës 1941-1951, por dhe të atyre në diasporë. Ishte iniciator për themelimi e Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës, ndërkaq për shumë kohë ishte dhe sekretar i saj.
Në librin "100 shqiptarët e Britanisë"
Furtuna e luftës së fundit profesor Tahirin e barti në Londër të Anglisë, ku gjendet prej vitesh. Ndonëse në moshë të shtyrë, ai vazhdoi me të njëjtin elan të shkruajë e të kontribuojë edhe atje, në mërgatë, duke marrë pjesë në aktivitetet kulturore e shoqërore të komunitetit shqiptar të diasporës në Britani lidhur me afirmimin e vlerave kombëtare dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi. Madje, angazhimi i tij në këto aktivitete u vlerësua si i çmuar, andaj u përfshi dhe në librin “100 shqiptarët e Britanisë”, i botuar në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Këto ditë ai mbush tetëdhjetë e pesë vjet, një jetë të mbushur me një biografi të begatë, një rrugëtim jete me përpjeta e tatëpjeta: në shkollim për kapërthim dijesh; në luftën antifashiste, por me ideale për bashkim kombëtar; në luftën politike, por për ekzistencë dhe liri kombëtare; me trokitma pene, siç do të thoshte një biograf i tij, duke shkruar për çështje të ndryshme me interes kombëtar, shoqëror e politik. etj. Por, mbi të gjitha, personaliteti i tij ishte dhe është i mishëruar me arsimin shqip, si bazament për prosperitet kombëtar, drejt një bote të qytetëruar. Pra, ky korife ia kushtoi një jetë të tërë arsimit kombëtar shqiptar dhe ishte në shërbim të tij.
Tahir Z. Berisha i takon plejadës së atyre pishtarëve të parë të arsimit shqip, të cilët, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, i kontribuuan më së shumti zhvillimit dhe afirmimit të arsimit dhe të kulturës sonë kombëtare. Karrierën e mësuesisë e filloi si 18-vjeçar, pasi u kthye nga ushtria e asaj kohe që u quajt Ushtria Nacional-Çlirimtare, në fshatin Zarbincë të Malësisë së Karadakut në Kosovën Lindore, në vitin shkollor 1945-46 dhe e përfundoi si kryeinspektor i arsimit të Kosovës në vitin 1986.
Kaloi nëpër të gjitha shkallët e nivelet e arsimit: Kudo që punoi la gjurmë të pashlyeshme, që nga emërimi mësues i parë në Shkollën e Zarbincës, në shkollën fillore “Elena Xhika“ (ish “Vuk Karaxhiq”) në Prishtinë dhe në vendlindjen e tij, në Vërban; sekretar i Pleqësisë së Arsimit në Viti; profesor i Gjimnazit, drejtor i Entit Pedagogjik dhe drejtor i Shkollës së Mesme Ekonomike, të gjitha në Gjilan; së fundit, inspektor e kryeinspektor i Arsimit të Kosovës, ku shërbeu një kohë të gjatë. Kudo që punoi dha gjithçka nga vetja në misionin e tij të shenjtë, duke mos e kursyer as shëndetin.
Në Zarbincën e largët (e largët për kohën kur punoi), kishte pasur dhe më parë tentime për hapjen e shkollës në gjuhën shqipe, por pa ndonjë sukses për shkak të paragjykimeve dhe botëkuptimeve të vjetra, te një pjesë e prindërve. Ndërkaq, Tahir Z. Berisha, në saje të këmbëngulësisë dhe raporteve të afërta e miqësore që atë botë krijoi me prindërit e nxënësve, arriti t'i tubojë në shkollë mbi 50 fëmijë moshash të ndryshme, madje dhe vajza.
Në shkollë, përveç mësimit, u mor edhe me organizimin e aktiviteteve jashtë mësimore, organizoi edhe hapjen e kuzhinës shkollore me ushqimet që i dërgonte UNRA e atëhershme. Shumë shpejt, në sytë e nxënësve dhe prindërve të tyre, ai fitoi autoritet dhe përkrahje të plotë.
Mehmet Gjevorit, atëherë inspektor krahinor i arsimit, i vinin lajme dhe fjalë të mira për këtë mësues të ri. Prandaj, ai kishte vendosur, që bashkë me inspektorin e rrethit të Gjilanit, nëpërmjet Vrajës, ta vizitonte këtë shkollë. Duke mbetur tepër i kënaqur me punën e mësuesit dhe autoritetin që gëzonte ai në popull, Mehmet Gjevori kishte shkruar edhe një reportazh të gjatë, që u botua në revistën letrare "Jeta e Re", nr. 1-2/1950, me titull "Mësuesi i popullit". Pastaj nuk vonoi shumë dhe si shpërblim për punën e tij të suksesshme në Zarbincë, u transferua mësues në Prishtinë (1948).
Në gazetën e Pionerëve në Prishtinë
Gjatë punës në Prishtinë, mbi një vit punoi edhe në Gazetën e Pionierëve, ku nga puna e lodhshme për nxjerrjen e kësaj gazete (në mungesë të kryeredaktorit) dhe kushtet e vështira të punës, Tahiri sëmuret. Pas shërimit kthehet në vendlindjen e tij, në Vërban, ku për pak kohë ushtroi profesionin e mësuesit meqë në ndërkohë emërohet sekretar i Pleqësisë së Arsimit në Viti.
Pasi mbaroi Shkollën e Lartë Pedagogjike – Degën gjuhë dhe letërsi shqipe një kohë punoi mësimdhënës në Gjimnazin e Gjilanit. Atë kohë filloi të merret edhe me krijime letrare, të cilat i botoi në revistën “Zani i rinisë”. Dy vjersha të botuara qenë pretekst që Sigurimi Shtetëror - UDB-ja t’ia mbushë dosjen me “bagazh” fajesh dhe më 1 nëntor 1956 përjashtohet nga procesi mësimor. Si i papunë, në ndërkohë e kryen fakultetin, ndërkaq pas kryerjes së studimeve, në vitin 1960, me përkrahjen e Sinan Hasanit, atëbotë në funksionin e sekretarit politik të Komitetit të Rrethit në Gjilan, profesor Tahirin e kthejnë përsëri në arsim si kuadër me arsimim të lartë.
Në atë kohë, në tri shkollat e mesme të Gjilanit të gjithë drejtorët ishin pjesëtarë të nacionalitetit serb ose malazez, ndaj ndihej mungesa e madhe e kuadrit arsimor për mësim në gjuhën shqipe, dhe shumica e lëndëve zhvilloheshin në gjuhën serbokroate. Prandaj, u shtrua kërkesa nga ana e organeve të atëhershme komunale të Gjilanit, që në njërën prej tyre të emërohej një drejtor shqiptar. Kështu, kur vendi mbeti vakant në Shkollën Ekonomike, pasi drejtoresha e atëhershme serbe shkoi në Serbi, në vitin shkollor 1960/61, u mor qëndrimi që në këtë post të emërohet Tahir Z. Berisha, si profesor i diplomuar.
Në atë vit, këtë shkollë e vijonin vetëm 7 - 8 nxënës shqiptarë, të shpërndarë në paralele të ndryshme me mësim në gjuhën serbokroate. Në marrëveshje dhe me mbështetjen e Rabit Rexhepit, atëherë përgjegjës i arsimit në Rrethin e Gjilanit, po në atë vit shkollor u hapën 5 paralele me mësim në gjuhën shqipe dhe filloi të sigurohet kuadri mësimor i kualifikuar (kam pasë fatin që edhe unë të regjistrohem në këtë shkollë).
Mendoj se, kjo ka qenë shkolla e parë profesionale në Krahinë, në të cilën për një kohë shumë të shkurtër mësimi për të gjitha lëndët zhvillohej edhe në gjuhën shqipe. Mësimdhënës të kësaj shkolle në atë kohë erdhën Dr.Hajrullah Gorani, ekonomist, Muharrem Latifi, jurist i diplomuar, Sadullah Brestovci, historian, Mehmet Kurteshi, i vetmi mësimdhënës i diplomuar për stenodaktilografi në Kosovë, Tefik Geci, prof. i gjeografisë, Ibrahim Shabani, prof. i gjuhës shqipe, etj. etj. Në shkollë filloi të punojë kooperativa e nxënësve, kabineti i daktilografisë me 35 makina shkrimi, ku shtypej fletushka e nxënësve "Shprehja e të rinjve" në dy gjuhët dhe që udhëhiqej nga Seksioni Letrar i nxënësve në krye me arsimtarët e gjuhës etj. Shih për këtë, kësaj shkolle shumë shpejt i doli zëri dhe filluan ta vërshojnë nxënësit shqiptarë nga tërë Anamorava, Presheva, Kaçaniku, Medvegja etj. Në kuadër të shkollës, punonte edhe Shkolla (e natës) për të rriturit, që financohej nga Universiteti Popullor me disa qindra vijues. Seksionet e nxënësve të Shkollës Ekonomike të Gjilanit në gara i mbanin gati të gjitha vendet e para në qytet dhe më lartë.
Nga radhët e nxënësve të kësaj shkolle më vonë dolën shumë ekspertë të dalluar, jo vetëm nga fusha e ekonomisë siç janë: dr.Musa Limani, dr. Rrahmi Nuhiu, dr.Selman Selmani, mr. Jusuf Zejnullahu, mr. Sahit Avdiu, Mehmet Bushi, Sadik Vllasaliu, Ali Gagica, Muhamet Haxhikurteshi etj., por edhe poetë e ekspertë të tjerë të gjuhës dhe letërsisë shqipe si dr.Faik Shkodra, Beqir Musliu, H.Halabaku etj.
Mirëpo, ky zhvillim i hovshëm i kësaj shkolle, pas largimit të S. Hasanit nga Gjilani, si duket u pengonte disa qarqeve e rretheve nacionaliste e shoveniste të Gjilanit, në krye me Zallko Gjorgjeviqin, sekretar i komitetit të Rrethit të LK. Prandaj, pas dy - tri vjetëve, të punës së saj të suksesshme, filloi rrënimi i themeleve të kësaj shkolle të cilën e shpallën si "çerdhe të nacionalistëve shqiptarë", duke ia hedhur "fajin" drejtorit Berisha si "iniciator i çdo gjëje". Tahir Berisha, u detyrua ta braktis Gjilanin dhe të kalojë në Prishtinë, si përkthyes në redaksinë e "Gazetës zyrtare të KSA të Kosovës". Në vitin 1970, kur Kosova fitoi kompetencat që me ligjet e veta t'i themelojë shërbimet e ndryshme pavarësisht nga Serbia, Tahir Berisha, si i vetmi kandidat u emërua inspektor në shërbimin e posa themeluar të inspekcionit arsimor të Kosovës, ku shërbeu plot 15 vite (1970 - 1985). Ky shërbim me Kushtetutën e vitit 1974, fitoi kompetenca më të gjëra si në mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave ligjore në arsimin e Kosovës, ashtu edhe sa i përket kualifikimit të punëtorëve tanë në punë të përkohshme në botën e jashtme dhe shkollimin e fëmijëve të tyre në diasporë.
Profesori i pensionuar që gjurmon nëpër arkivat e Londrës
Sot profesor Tahir Z. Berisha, në moshën 80 vjeçare, jeton dhe vepron në Londër, ku e hodhi fati si shumë shqiptarë të tjerë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Lexuesi ynë mendon se ai është strukur në shtrat afër stufës duke pirë çaj e duke shikuar televizionin. Jo, gabojnë ata që e mendojnë kështu profesorin tim! Profesor Tahir Berisha, sot shumicën e kohës (e kohë "ka shumë pak" siç thotë ai vetë), e kalon nëpër arkivat, muzetë dhe bibliotekat e Londrës, gjithnjë duke gjurmuar dhe shkruar për të kaluarën tonë. Edhe kur isha nxënës i tij, profesor Tahir Berisha thoshte: "Shumë gjëra për të kaluarën tonë janë të shkruara dhe të vendosura nëpër arkivat e metropoleve të Evropës, prandaj ato duhet të gjenden dhe të studiohen".
Nismëtar procesesh dhe autor veprash me peshë
Në botimet voluminoze "Emra që nuk harrohen", veterani Tahir Berisha shkëputi nga harresa mijëra mësues e arsimtar të popullit që i vunë themelet dhe e lartësuan arsimin shqip si për nga sasia, ashtu edhe për nga cilësia.
Krahas punës në procesin arsimor - edukativ edhe gjatë shërbimit si inspektor e kryeinspektor, Tahir Berisha, vazhdimisht u mor me shkrime dhe krijimtari publicistike, duke bashkëpunuar me gazeta dhe revista të ndryshme. Këtë aktivitet ky e shtoi, sidomos pas daljes në pension në vitin 1986, duke i shkruar e botuar këto vepra: "Trojet që nuk shuhen - Shënime nga Vërbani dhe Anamorava", Prishtinë, 1993, ribotimi 1995; "Emra që nuk harrohen - Arsimtarët veteranë (1941 - 1951) dhe arsimi shqip në Kosovë", I, Prishtinë, 1995; "Emra që nuk harrohen - Arsimtarët veteranë (1941 - 1951)", II, Prishtinë, 1996; "Rrëfime në veten e parë", Prishtinë, 1998; "Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova", Londër, 2001; "Emra që nuk harrohen - Arsimtarët veteranë (1941 - 1951)", III, Prishtinë, 2005; "Në fokus të ngjarjeve - Bisedë më Sinan Hasanin", Prishtinë, 2005; "Emra që nuk harrohen - Arsimtarë shqiptarë në diasporë", IV, Prishtinë, 2006 (në bashkëpunim me H.Halabakun dhe Ç.Bytyçin); Në bashkëpunim me Rabit Rexhepin, përkthyen tekstin shkollor "Byroteknika", për shkollat ekonomike; Në botimet voluminoze "Emra që nuk harrohen", Tahiri shkëputi nga harresa mijëra mësues e arsimtarë të popullit që i vunë themelet dhe e lartësuan arsimin shqip si për kah sasia, ashtu edhe për nga cilësia. Tahiri i përkiste shtresës ajkë të kësaj armate. Shumica e veprave të Tahir Berishës janë promovuar dhe prezantuar në: Prishtinë, Preshevë, Shkup, Tiranë, Elbasan, Stamboll të Turqisë, Gllasgou të Skocisë dhe në Londër të Anglisë. Nga disa ekzemplarë të tyre u janë dhuruar Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Prishtinës, Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë, Bibliotekës Komunale në Viti dhe Bibliotekës Britanike në Londër. Tahir Berisha, ka qenë iniciator për themelimin e Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës dhe koordinator i punës së Manifestimit Unikal "Takimet e Veteranëve të Arsimit" që u mbajtën për çdo vjet (1982 - 1999) në qendra të ndryshme të Kosovës. Si sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës që nga themelimi i saj në vitin 1981, ai ka bashkëpunuar me Shoqatën "Normalisti" të veteranëve të arsimit të Shqipërisë, duke u përpjekur për integrime gjithëkombëtare në fushën e arsimit. Gjatë shërbimit aktiv, Tahir Berisha, si punëtor i zellshëm, shpesh është dekoruar dhe ka marrë mirënjohje të ndryshme, duke përfshirë edhe Urdhrin për punë me kurorë të artë të Kryesisë së RSFJ-ës (Nr.42 dt. 13.V.1982, të nënshkruar nga Sergej Krajgeri). Ndërkaq, ai hoqi dorë publikisht nga Shpërblimi republikan "25 Maji" në shenjë pakënaqësie dhe proteste kundër politikës zyrtare diskriminuese të organeve të Sërbisë ndaj arsimit shqip të Kosovës (shih "Rilindja" dt. 1 gusht 1990). Edhe si refugjat e mërgimtar që nga viti 1999 dhe në moshë të shtyer, ai mori disa mirënjohje si b.f. Bashkësia Shqiptare "F.Konica" në Britani të Madhe, me rastin e 77 vjetorit të lindjes së tij në "Ditën e Mësuesit", 7 mars 2005, për kontribut dhe merita të veçanta, ia ndau një mirënjohje me shkrim. Po ashtu, edhe Bashkësia e Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër (me rastin e 8 vjetorit të themelimit të saj), i ndau mirënjohje me shkrim, kurse Shoqata "Dituria" në Londër, për kontributin e çmuar në fushën e publicistikës, Tahir Berishën e emëroi kryeredaktor nderi të gazetës "Koha Shqiptare" në Hounslow të Britanisë së Madhe.
Edhe pse shumë i ri, ka qenë pjesëmarrës aktiv i LNÇ-së
Vjersha "Ty o Vremç bujar" për të cilën u fajësua Berisha është botuar në revistën "Zëri i Rinisë" nr. 9/1945, ku ishte redaktor përgjegjës Masar Myrtezai.
Personifikim i përpjekjeve për afirmimin e arsimit shqiptar
Tahir Berisha, gjithmonë ishte dhe është optimist dhe veprues në jetë. Në asnjë detyrë nuk ishte nën nivelin e kërkesave profesionale të punëve që i ngarkoheshin. I afërt dhe i dashur për nxënësit, prindërit dhe bashkëpunëtorët. Ai mbetet dëshmi e gjallë e sfidave dhe e përpjekjeve për afirmimin e arsimit shqip në Kosovë dhe në diasporë gjatë fazave më të vështira të zhvillimit të saj
Edhe si inspektor e kryeinspektor i arsimit të Kosovës, Tahir Berisha qe mjaft i suksesshëm edhe pse edhe në këtë shërbim elementet burokrate e shoviniste u përpoqën që ta pengojnë në punë. Janë të njohur "Rasti i Hogoshtit", "Rasti i Ivajës së Kaçanikut" dhe "Rasti i Mushnikovës" së Prizrenit, ku ishte në pyetje hapja e klasave të larta të gjimnazeve, për shkollimin e vajzave shqiptare. Por, Tahiri gjithmonë doli fitues se asnjë aktvendim nuk iu anulua nga instancat më të larta.Një problem tjetër që pati marrë përpjesëtime të gjëra ka qenë fushata e shitjes së dëftesave e diplomave nga ana e disa shkollave të Krahinës. Kjo dukuri ka qenë aq e përhapur sa që gati tërë Jugosllavia vinin në Kosovë dhe për disa orë furnizoheshin me "kualifikime" shkollore. Këtë dukuri Tahiri e pengoi. Mirëpo, individët me ndikim vinin me limuzina nga Mali i Zi e republikat tjera dhe ankoheshin kundër kryeinspektorit tek ministri serb i arsimit të Kosovës.
Ka qenë karakteristik rasti i Shkollës teknike të Mitrovicës, kolektivi i së cilës gjatë kohës së mësimit të rregullt, në krye me drejtorin, nga 15 ditë qëndronte në Bosnje, duke lëshuar dëftesa në Universitetet Popullore. Kur kjo çështje erdhi në rend të ditës të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës dhe shtypi filloi të shkruaj në vazhdime, drejtori i kësaj shkolle, Millan Perka, që kishte ndikim edhe si luftëtar, mori përsipër që ta shkarkoj nga detyra këtë inspektor "agresiv" që gjoja po ua "cenonte" autoritetin disa shkollave dhe drejtorëve të tyre. Ai më dt. 28. 02. 1971 e botoi në Rilindje një "letër të hapur" kundër këtij inspektori, por pa kurrfarë argumentesh. Prandaj, në të njëjtën gazetë me dt.6.III.1971, pasoi përgjigja e inspektorit me titull "I mbyturi kapet edhe për kashte" duke cituar me fakte konkrete malverzimet në këto shkolla. Për ta ruajtur disi autoritetin tek vendasit në gazetën lokale "Zveçan", Millan Perka, e botoi artikullin tjetër kundërshtues në gjuhën serbe. Së shpejti, edhe kësaj radhe reagoi inspektori në të njëjtën dhe polemika vazhdoi në dëm të këtij "luftëtari", sepse tregtia me shitjen e diplomave u ndërpre.
Në vitin 1989, gjatë regjimit të Millosheviqit, Tahir Berisha për së dyti herë u përjashtua nga Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ dhe nga të gjitha forumet tjera shoqërore - politike. Arsyetimi ishte pse nuk ishte pajtuar me iniciativën e "Radiotonit" të Beogradit për ngritjen e Fabrikës në fshatin Batusë afër Fushë Kosovës të banuar kryesisht me serbo - malazez dhe me kërkesën e ish çetnikut Bozha Markoviq, "që t'ju rrënohen shtëpitë tri familjeve të vetme shqiptare", nëse ato nuk shpërngulen vet dhe në këtë mënyrë gjoja të pengohej shpërngulja e serbëve. Grupi punues i Këshillit komunal të LSHL të LNÇ të Prishtinës i përbërë nga Sejdo Bajramoviq, Jordan Stanojeviq, Zhivorad Iviq dhe Zharko Aleksiq, përveç përjashtimit të tij nga Këshilli komunal i luftëtarëve, u rekomandoi Shoqatës lokale të Luftëtarëve të LNÇ dhe Organizatës themelore të LKJ, që Tahir Berisha të merret në përgjegjësi ideopolitike edhe në këto nivele. Për "Rastin e Fabrikës së Batusës" dhe "fajin" e Tahir Berishës, atëherë shkruan disa ditë të gjitha mjetet informative lokale dhe republikane e federative, si TANJUG - u, TV Beogradi, "Novosti", "Dnevniku" i Novi Sadit, "NIN" dhe "Ekspresi" etj. Më pas, Tahir Berisha u detyrua të dalë në pension të parakohshëm në moshën 58 vjeçare.
Ekzistimin e dosjeve kundër Tahir Berishës më vonë e konstatuan historianët dhe hulumtuesit e tjerë. Kështu, Sulltane Kojçini - Ukaj në faqen 234 të librit të vet "Kuadri arsimor shqiptar në Kosovë në shënjestrën e Sigurimit Shtetëror (1945 - 1952)", Prishtinë, 1997, e citon "Dosjen" e T.B. të hartuar nga Veselin Cvetkoviqi, shef i UDB-ës së Vitisë.
Ndërkaq, në librin e Dr. Hakif Bajramit, "Politika serbe për rikolonizimin e Kosovës me sllavë (1945 - 1948)", Prishtinë, 2002, në fq. 175 - 180, si edhe në librin më të ri të Bajram Shatrit, "Arsimi fillor në Kosovë në shekullin XX (Sfida, dëshmi, fakte)" në fq. 27 shkruan: "Në mesin e 782 mësuesve të apostrofuar si të rrezikshëm dhe të cilët sipas OZNës do të duhej të likuidoheshin..." u gjet edhe emri i Tahir Berishës.
Tahir Berisha, gjithmonë ishte dhe është optimist dhe veprues në jetë. Në asnjë detyrë nuk ishte nën nivelin e kërkesave profesionale të punëve që i ngarkoheshin. I afërt dhe i dashur për nxënësit, prindërit dhe bashkëpunëtorët.
Në moshë por i pandalshëm në veprimtarinë krijuese
Edhe pse 85 vjeç, veteranit të arsimit dhe autorit të disa librave publicistike e letrare, Tahir Z. Berisha, nuk i ka shteruar elani për punë dhe ai edhe më tutje duket se ka frymë e forcë të jashtëzakonshme shpirtërore dhe krijuese.
I mësuar që në ecejaket e tij që nga vendlindja fshati, Vërban i Komunës së Vitisë, të lë gjurmë, ai edhe sot në ecejaket larg atdheut, në Londër apo Britani të Madhe është prapë po ai Tahiri, punëtor i palodhshëm, sërish mes shkrimeve e hulumtimeve.
Si njeri që e kam njohur nga afër dhe kam mësuar shumë nga ai, e ndjej si obligim që në këtë përvjetor të tij të formulojë disa fjali për Tahir Berishën, njeriun e qetë e durimtar që nuk e ndal hapin, njeriun e thjeshtë e të afërt, por që dallohet për temperamentin dhe mprehtësinë e tij, njeriun dëgjues e kompetent, të afërt dhe shumë të dashur me bashkëpunëtorë.
Janë këto tipare të tij që nuk e karakterizojnë vetëm në raport me bashkëpunëtorët, por edhe me të tjerët, pasi ai ka tipare vërtetë të larta njerëzore. Nga natyra është i dashur, i qetë dhe tepër i matur e i logjikshëm, i këndshëm në bisedë dhe transparent, por ama i vendosur në atë që duhet të bëjë. Derisa rikujtoj disa momente kur lodheshim së bashku gjatë punës, ose ishim në rrugë zyrtare, për të verifikuar kushtet për fillimin e punës për shkollat e mesme e gjimnazet nëpër Kosovë që ishte njëra ndër detyrat e Inspektoratit të Arsimit të Kosovës, i kujtoj edhe përpjekjet e Tahirit që përmes anekdotave e barsoletave të ndryshme të na motivonte për punë sa herë që ishte nevoja. I tillë ishte atëherë dhe është edhe sot Tahiri. Është spirituoz e gazmor, simpatik e i ëmbël në bisedë, i saktë e objektiv, i fisëm e qibarë, inteligjent e i dijshëm, i aftë e i lehtë dhe shumë atraktiv.
I burrëruar para kohe
I rritur dhe i burrëruar, si thuhet para kohe, Tahiri e kishte njohur nga afër okupatorin me të gjitha ngjyrat e tij, kishte parë me sy tortura, vrasjet e hakmarrje sllave, por ato nuk e kishin frikësuar, përkundrazi e kishin forcuar që asnjëherë të mos i thotë të zezës e bardhë.
Tahir Berisha krahas punës në procesin mësimor-edukativ, të cilit ia kushtoi një jetë të tërë, krahas aktiviteteve e veprimtarive të tjera, asnjëherë s’e hoqi penën nga dora dhe u bë autorë i disa veprave publicistike e letrare.
Verën e që shkoi patëm disa takime të shpeshta në Prishtinë me ish-miqtë dhe kolegë të punës kur punonim së bashku në Komitetin e atëhershëm Krahinor për Arsim, Shkencë e Kulturë dhe u kënaqëm në ato takime.
I luteshim shpesh Tahirit të na tregonte për ndonjë ndodhi të përjetuara si mësues në vitet e dyzeta. Ai duke qeshur dhe pa përtesë tregonte ngjarje shumë interesanten të kohës së fillimit të karrierës së tij në profesionin e arsimit.
“Një ditë, tregonte vëren e kaluar profesor Tahiri, sa isha mësues në fillim të viteve të dyzeta të shekullit të kaluar, kur hyra në klasë në fund të bankave e pashë një nxënës “të ri” dhe më të rritur se të tjerët.
- Në cilën klasë je?- e pyeta nxënësin, tregonte profesor Tahiri.
- Unë nuk jam në shkollë i dashur mësues, tha ai.
- Po pse ke hy pra në klasë? - e pyeta unë.
- Baba më dërgoi sot, në vend të vëllait tim më të vogël se ai ka shkuar me nënën te dajtë, u përgjigj ai!
- Jo për vëllain nuk mund të vish në shkollë, po është mirë që ti të vish për vete se edhe ti ke nevojë që të mësosh shkrim-leximin”.
Rrëfime të këtilla Tahiri kishte shumë. Ndonëse ato ishin të vërteta, ai gjithsesi me mënyrën e rrëfimit u jepte një dozë humori të lehtë, të cilat mbeteshin në kujtesën tonë si tregime tejet interesante.
Në trurin e tij të freskët "akoma ka yndyrë për të na fërguar edhe ndonjë vepër". Sot, Tahir Berisha mbetet dëshmi e gjallë e sfidave dhe e përpjekjeve për afirmimin e arsimit shqip në Kosovë dhe në diasporë gjatë fazave më të vështira të zhvillimit të saj. Në fund, veteranit të shquar të arsimit dhe ish profesorit tim të nderuar, zotit Tahir Berisha, i uroj shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe suksese të mëtejshme në punë.
[botuar në "Bota Sot", në tri vazhdime dt.28, 29 dhe 30 korrik 2013]