MASAKRA NË XHAMINË E POZHARANIT
(Dëshmi për masakrat ndaj shqiptarëve në Anamoravë në vitet 1944-1945)
Edhe pse pushtetin lokal e kishin në dorë kolonistët e Pozharanit dhe të Tankosiqit në krye me Sima Miliniqin, Vukashin Kovaçeviqin, Dushan Vlahoviqin, Lluka Vladushiqin, etj., fshatarët e Pozharanit shpresonin se, në saje të kujdesit që kishin treguar gjatë okupacionit për fqinjët e tyre kolonistë duke i ruajtur ditë e natë në shtëpitë e veta, këta nuk do të lejojnë që fqinjët e tyre shqiptarë t'i gjejë çfarëdo e keqe tjetër, sepse gjatë okupacionit madje edhe vetë përfaqësuesit e pushtetit të atëhershëm në Pozharan (Hysen Tërpeza si kryetar dhe Bejtë Hazir Alidema, si sekretar komune) u kishin garantuar jetë të qetë dhe të sigurt. Prandaj, këta nuk u shpërngulën në atë kohë, siç bënë disa kolonistë të fshatrave tjera. Mirëpo, pas çlirimit kolonistët lokalë shumë shpejt e ndërruan pllakën e gjithnjë e më shpesh filluan t'u kërcënohen disave nga bashkëfshatarët e vet shqiptarë për gjoja sjelljet dhe gabimet e tyre gjatë okupacionit, edhe pse gjatë tërë kohës së okupacionit nga ky fshat pësoi vetëm një person i njohur si zullumqar me emrin "Stanku i Zi". Kështu, pra, pikërisht me iniciativën e Vukashin Kovaçeviqit dhe Lluka Vlladushiqit u ftuan në ndihmë, madje edhe pjesëtarët e Brigadës XVII maqedone të stacionuar në Gjilan. Me ta, siç u kujtohet Mustafë Shabanit dhe Xhavit Alidemës, erdhi edhe Zallko Gjorgjeviqi, funksionar dhe aktivist nga Gjilani. Në praninë e tij, Vukashinit, Llukës, Tinkë Podgorcit, Tozë Drobeshit (ish-kontraçetnik bullgar) dhe shumë "argatëve" të tjerë kolonistë, më 7 janar 1945, ditën e Krishtlindjeve filloi ploja e madhe në oborrin dhe në lokalet e xhamisë së Pozharanit, ku u tubuan rreth 200-300 fshatarë të Pozharanit prej moshës 15-65 vjeçe.
Si tregon Berat Ramiqi i cili i pari kishte hëngër një flakaresh, "të burgosurit" një nga një nxirreshin nga xhamia dhe merreshin "në pyetje" në ndërtesën e mejtepit në afërsi të xhamisë, ku në praninë e personave të përmendur i priste ekipi me dru në krah. Kështu, pra ende pa arritur që të përgjigjen në pyetjet formale fillonin torturat dhe rrahjet deri në alivanosje. Të rënat, gjëma dhe britmat dëgjoheshin larg, duke ua futur tmerrin në palcë të gjithë të mbyllurve në xhami - fëmijëve, pleqve e të afërmëve të tjerë që silleshin rreth e rrotull oborrit të xhamisë, pa qenë në gjendje që t'u ndihmojnë. Kështu, pra, nga dajaku dhe torturat mizore ndër të parët vdiqën:
1. Shaban Halit Alidema, plak 70-vjeçar (ish-kryetar komune në Jugosllavinë e Vjetër),
2. Misin Xheladin Alidema (50-vjeç, i cili edhe në vitin 1915 pat pësuar duke kërcyer nga minarja e po kësaj xhamie i ndjekur nga bullgarët),
3. Ajet Fejzë Terziqi (70) dhe
4. Ahmet Mustafë Zuka (20).
Këta edhe sot i kanë varret në oborrin e xhamisë. Ndërkaq, nga grupi prej 24 vetësh, të rrahur e të shkallmuar që u dërguan në Gjilan, 16 syresh kurrë më nuk u kthyen, të cilëve, madje, nuk u dihen as varret e këta janë:
1. Osman Ali Alidema (70),
2. Shefik Ali Alidema, vëlla i Osmanit (53),
3. Tefik Osman Alidema, i biri Osmanit (35),
4. Azem Shutë Alidema (50),
5. Latif Hysen Pira (37),
6. Abaz Sadik Ramiqi (45),
7. Ali Tafë Ramiqi (60),
8. Rifat Bajram Musa (35),
9. Zenun Shaban Halimi (35),
10. Rifat Shefki Terziqi (35),
11. Bajram Rexhep Terziqi (32),
12. Rexhep Sulejman Syla (40),
13. Rexhep Gërba - Ostrogllava (65),
14. Tahir Adem Dragobuzhda (45),
15. Isak Rexhep Zuka (56),
16. Rexhep Mahmut Çerkezi (60)
Nga të burgosurit në burgun e Gjilanit i pari u mor në pyetje patrioti i njohur Hamdi Kurteshi, të cilit pas dialogut të ashpër iu kërcënua se do ta vrasë personalisht Lubo Shotra, shef i OZNE-së së Gjilanit. Ai ia drejtoi revolen në gjoks këtij plaku, i cili, duke hapur gjoksin, iu drejtua me zë të lartë: "Vramë se nuk frikësohem, pasi që askujt s'i kam borxh!" dhe ia ngjet tytës së revoles me dhëmbë, duke i thye dy - tre dhëmbë.
Është interesant dhe rrëfimi i Hamdi Salihut, (atëherë 16-vjeçar), i cili nga dritarja e vogël e burgut i kishte parë me sy duke i therur Rexhë Gërbën - Ostrogllavën, që mbeti i vdekur në oborrin e burgut dhe ca të tjerë. Ai përshkruan detajisht se si i kishte nxjerrë atë dhe të tjerët natën, duke i zbathur dhe zdeshur vetëm në këmishë e tlina dhe të lidhur dy nga dy përkrahësh i kishin dërguar në njërin nga vendpushkatimet afër ndërtesës ku edhe sot gjendet Kombinati i Duhanit në Gjilan. Ai edhe sot nuk e ka të qartë se me urdhërin e kujt kishte ardhur gardiani i burgut, Millan Jariqi, e kishte zgjidhur dhe kthyer prapë në burg, ku pas qëndrimit prej afër 4 muajsh ishte liruar si i pafajshëm.
Prej atyre që e kishin parë njëherë vdekjen me sy, nga burgu i Gjilanit, përveç Hamdi Salihut, u liruan edhe: Hamdi Kurteshi, Berat Agush Hoxha, Mulla Riza Zuka, Murat Halabaku, Muharrem Hajdari, Sylë Muharrem Hajdari (i biri i Muharremit) dhe Muharrem Emini.
Se si u trajtuan dhe u likuiduan të burgosurit tjerë nga Pozharani, mësojmë edhe nga ajo që ishte dëgjuar nga goja e vetë kolonistit, Jovan Kovaçeviq. Ai, thuhet, në gjendje të dehur disa herë kishte deklaruar se Latif Hysen Pira dhe Ali Tafë Ramiqi, gjysmë të gjallë janë futur dhe djegur në një furrë në Gjilan.
Në të njëjtën periudhë, sigurisht në bazë të raporteve negative nga baza, në brigada u burgosën dhe u likuiduan pa gjykim vëllezërit Behxhet dhe Jonuz Hazir Alidema (i pari në Pejë dhe i dyti në Mitrovicë). Përveç Myrtë Hasan Misinit që u ther në rrugën Pozharan-Tankosiq, nga pozharanasit në Gjilan u vra Ismail Hysen Kurteshi (i ati i Mehmet Kurteshit, veteran i arsimit), kurse në Viti Esat Çerkezi. Kështu, pra në periudhën 1944-1945, nën rrethana të ndryshme u likuiduan fizikisht nga organet e pushtetit të ri gjithsej 25 shqiptarë nga Pozharani, (ndërkaq, tre pozharanas: Salih Pira, Vehbi Salihu dhe Deli Ramiqi u vranë si partizanë nga forcat kundërshtare dhe gëzojnë statusin e dëshmorëve të LNÇ).
Më vonë, nga pasojat e torturave në xhaminë e Pozharanit, vdiqën një nga një, pa u hetuar, edhe një numër i fshatarëve tjerë, prej gjithsej 64 personave që me rastin e këtij masakri paten marrë lëndime të rënda fizike.
Ende nuk dihet numri i saktë i personave nga rajoni i Anamoravës që u zhdukën nën rrethana të paqarta në njësitë e ndryshme partizane. Kështu, bie fjala, siç tregon plaku Rrustem Halabaku, në Brigadën IV kosovare që në atë kohë gjendej e stacionuar në rrethinën e Pejës, shpesh ndodhte që nga patrulla, zakonisht e përbërë nga dy serbo-malazez dhe një shqiptar, shqiptari të mos kthehej më pa u sqaruar mënyra e zhdukjes së tij. Zakonisht thuhej se ka dezertuar. Mirëpo, kur një natë nuk u kthye nga patrulla Hasan Xheladini nga Remniku, e pas disa ditësh i vëllai që ishte në të njëjtën brigadë, e njohu uniformën bullgare të të vëllait, të cilën tash e kishte veshur një ushtar tjetër me emrin "Aleksa" nga Graçanica, shqiptarët e kuptuan se ç'po ndodhte me ata që "i përbinte nata". Prandaj, me propozimin e Rrustem Halabakut, u vendos që më, të mos shkojnë në patrulla vetëm një shqiptar, po nga dy shqiptarë e nga dy serbomalazez.
Në mënyrë të ngjashme u vranë shumë pjesëtarë shqiptarë të brigadës edhe në kishën e Deçanit. Është i njohur rasti i tre pjesëtarëve nga fshati Mogillë dhe 4 të tjerëve nga fshati Beguncë të Vitisë. Këta kishin refuzuar që të shkojnë si të tjerët të paarmatosur kinse për t'u marrë në pyetje te komandanti e më nuk ktheheshin. Për këtë arsye Rexhep Aziz Rexhepi, që ishte më i vjetri, u thotë bashkëvendësve, Nuredin Muharrem Trenës dhe të birit të Myrtë Trenës nga Mogilla si dhe Milaim Murtezit dhe të tjerëve nga Begunca, se ai do të hyjë më i pari, e nëse heton se po i kërcënohet rrezikut si të tjerëve do të bërtasë në mënyrë që këta të jenë të gatshëm. Kështu, pra, posa hyn brenda menjëherë sulmohet me bajoneta. Prandaj bërtet, kurse Nuredin Muharrem Trena bombën e aktivizuar me kohë e hedh brenda, me ç'rast vriten shumë pjesëtarë serbomalazez, por pas një lufte të rreptë në mes të tyre mbetën të vrarë edhe këta shtatë anamoravas.
Ky rast, si duket, dhe shpërthimi i luftës në Drenicë qe shkak që të ndërpritet kjo mënyrë e likuidimit të shqiptarëve në radhët e ushtrisë partizane.
Dihet se gjatë historisë së vetë të mundimshme popullata e rajonit të Anamoravës, sikurse edhe e viseve tjera të banuara me shqiptarë, ka përjetuar shpesh masakra të llojllojshme nga okupatorët dhe pushtuesit e ndryshëm, në të cilat ka pësuar një numër dhe më i madh njerëzish. Mirëpo, për nga mënyra dhe metodat e përdorura, masakri në xhaminë e Pozharanit dallon prej të tjerëve dhe ua kalon në shumë aspekte. Së pari, këtë plojë e iniciuan dhe në zbatimin e saj morën pjesë fqinjët kolonistë kundër fqinjëve të vet shqiptarë, të cilët i ruajtën ata gjatë okupacionit. Së dyti, përpara vrasjet dhe likuidimet fizike të shqiptarëve bëheshin në luftë e sipër dhe kryheshin me armë. Ndërkaq, kjo e fundit ndodhi pas pushimit të luftës së përbashkët kundër armikut të përbashkët, në kohë të paqes dhe u zbatua me dru dhe me tortura tjera fizike.
Për këtë arsye, masakri në xhaminë e Pozharanit pati jehonë të madhe në tërë rajonin e Anamoravës dhe la vrragë të thellë edhe kujtime rrëqethëse e trishtuese te banorët e zhgënjyer dhe të mllefosur të kësaj ane, të cilët ditën e çlirimit të kësaj treve (16.11.1944) e patën pritur me shpresa të mëdha.
Në një situatë të këtillë të turbullt, e veja e Myrtë Hasan Misinit, menjëherë pas vrasjes së bashkëshortit (i cili, në shpejtësi të madhe dhe sipas porosisë së një hoxhe, ishte varrosur pa ia larë kufomën dhe pa kurrfarë ceremonish tjera, me rroba të përgjakura kinse në këtë mënyrë shkonte si "shehit"), i kishte mbledhur plaçkat më të nevojshme dhe me të dy bonjakët të nesërmen kishte ikur te vëllezërit e vet në Shkup. Më vonë ishte shpërngulur për në Turqi, por me veti e kishte marrë edhe kapotën e të ndjerit, ashtu të përgjakur dhe të shkyer nga bajonetat, të cilin e kishte ruajtur me xhelozi në fund të arkës. Para se të vdiste në Stamboll, ia kishte treguar të birit, Bajrushit, i cili edhe sot jeton atje. Ata që e kanë vizituar thonë se ky sa herë që i kujtohet ndarja e fundit me babanë e lidhur para shtëpisë në Pozharan dhe vrasja e tij mizore, e nxjerr këtë kapotë nga arka dhe i përmalluar fillon të qajë para fëmijëve të vet të hutuar, të cilët kanë lindur në Turqi dhe nuk janë në gjendje t'i kuptojnë traumat e babait që i kanë mbetur nga vendlindja.
Protestat
Shumëkush, lidhur me masakrën e Pozharanit, shprehu pakënaqësi dhe revoltë ndaj masave të pushtetit të ri, kurse Metush Zeqiri - Berisha (atëherë anëtar i Këshillit Popullor të Vendit në Goshicë) dhe bashkëvendësi i tij Jetish Bislimi - Vishi nga Vërbani protestuan haptas dhe u ankuan te Shaban Haxhiu, atëherë komandant i Brigadës VII sulmuese kosovare, e dislokuar në Lipjan.
Siç kishte treguar shpeshherë Metushi, Shaban Haxhiu në fillim nuk kishte besuar fare se mund të ndodhte diçka e ngjashme në atë kohë. Madje, kur këta kishin ngurruar që ta nënshkruajnë deklaratën iu ishte kërcënuar: "Si mendoni ju kështu - të hudhni gurin e ta fshehni dorën! A e dini ju se për përhapjen e dezinformatave të këtilla mund të merrni edhe plumb në ballë!"
"O shoku komandant, Pozharani nuk është përtej detit, prandaj shkoni dhe vërtetoni vetë faktet, e mos kërkoni nga ne emra dhe adresa se neve na kallin me robë e me fëmijë! Ju ende nuk jeni duke parë se çka po ndodh dhe si po sillen disa pjesëtarë të brigadave të ndryshme edhe pushtetmbajtësit e rinj, në anën tonë" - ia kishin kthyer këta.
Megjithatë, Shaban Haxhiu ua kishte siguruar një qerre dhe një përcjellës me emrin Dushan, i cili, siç tregonte Metushi, e fliste shqipen më mirë se ne. Ai i kishte porositur që të shkojnë në Prishtinë dhe të gjitha këto t'ia thonë Milladin Popoviqit, me të cilin, si duket në ndërkohë kishte biseduar me telefon. Në Prishtinë i kishin marrë prapë në pyetje, por u kishin thënë që atë natë të bujnë aty deri sa të kthehet kuriri me raport nga Gjilani. Të nesërmen korieri Dushan i kishte kthyer në Lipjan.
Mirëpo, të mësuar nga përvoja, këta dy vërbanas nuk kthehen drejt në shtëpi, por Metushi ndalet te miqtë në Sojevë (Xhevat dhe Ferat Sojeva që ishin anëtarë aktivë të LNÇ), ndërsa Jetishi ia mban në drejtim të Shkupit. Prej Sojevës dërgohet një njeri në Vërban për të marrë vesh se a ka gjë të re. I dërguari posa arrin në Vërban e gjen shtëpinë e Metushit të rrethuar nga pjesëtarët e "Partizanska strazhës" të Pozharanit, të cilët i kërkonin me ngulm Jetishin dhe Metushin, shtëpinë e të cilit e kishin bastisur në çdo skutë. Prandaj, ky u detyrua, madje, një kohë të qëndrojë në malin e Sharrit, ku kishte edhe shumë të arratisur të tjerë, e më vonë, disa muaj, në burgun e Ferizajt derisa u lirua nga gjykata si i pafajshëm.
Sugjerimi i Milladinit
Si duket, me urdhërin apo sugjerimin e Milladin Popoviqit ishte formuar një komision i posaçëm për të ndriçuar rastin në tërësi. Mirëpo, as skenaristët e plojës së Pozharanit, në marrëveshje dhe bashkëpunim me ata të Gjilanit, nuk kishin ndejtur duarkryq, por kishin biseduar me të gjithë anëtarët e familjeve të të vrarëve dhe të plagosurve që mos ta aktualizojnë këtë çështje, duke ua lënë fajin disa pjesëtarëve të brigadave maqedone, ish-kontraçetnikut bullgar Tozë Drobeshit etj., se përndryshe do t'i gjejë edhe më keq. Për këtë arsye, kur arriti komisioni, në kuadër të të cilit ishte edhe Hasan Dylgjeri - "Hasan Mësuesi", shumë prej atyre që u pyetën refuzuan t'i tregojnë emrat e atyre që i kishin rrahur e maltretuar, duke thënë se nuk i njohin dhe nuk ua dinë emrat. Madje, disa të tjerë, si bie fjala Q.H. kishte thënë: "Më ka shkelur kerri duke u kthyer nga mulliri", kurse B.S.: "Jam rrëzuar prej dardhës dhe jam lënduar" etj. Mirëpo, një grua plakë, duke e dëgjuar se po fliste shqip, i afrohet tinëz Hasan Dylgjerit dhe i thotë: "Biro, mos u mundo se këta nuk guxojnë për të treguar drejt, e halla po të kallëzon shkurt e shqip se të gjithë i kanë dërrmuar dajak, por u kanë thënë që të mos tregojnë se do t'ua bëjnë edhe më zi e do t'ua shohin sherrin edhe anëtarët e tjerë të familjes!"
Xhavit Alidemaj mendon se në fillim, përveç Tozë Drobeshit, u paraburgosën edhe iniciatorët kryesorë, Lluka dhe Vukashini, por së shpejti me intervenimin e Spasoje Gjakoviqit, atëherë shef i OZN-ës për Kosmet, u liruan e madje edhe u avancuan në funksione, edhe detyra më të larta.
Sikur të mos intervenonte personalisht Milladin Popoviqi, rasti i masakrit të Pozharanit sigurisht se do të përsëritej edhe në fshatrat tjera shqiptare. Kështu flitet se Lluka Vladushiqi i kishte pasë tubuar shumë fshatarë shqiptarë në xhaminë e Komogllavës, por, për fat të mirë, në momentin kritik aty kishte arritur luftëtari i njohur Ibrahim Cërnilla me disa njerëz të armatosur për të mobilizuar vullnetarë për Frontin e Sremit e kur merr vesh se për çka është fjala, pas një dialogu mjaft të rreptë, arrin që të "bindë" Llukën dhe përcjellësit e tij që të shkojnë nga kanë ardhur, duke thënë se ky këta njerëz ka ardhë për t'i mobilizuar për front dhe në këtë mënyrë i kishte shpëtuar fshatarët e pafajshëm të Komogllavës.
Pas vrasjeve - armiq
Mirëpo, për të shpëtuar nga përgjegjësia penale për masakrën e kryer, Vukashin Kovaçeviqi, Lluka Vladushiqi, etj., me ndihmën e Zallko Gjorgjeviqit që edhe vetë ishte përzier në këto punë, Vllado Popoviqit (sekretar i Komitetit të Rrethit të Partisë në Gjilan), Simo Miliniqit (komandant i komandës lokale), Lubo Shotrës (shefi i OZN-ës) dhe aktivistëve të tjerë nga Pozharani me punë në Gjilan, arrijnë që të gjithë të vrarët, në bazë të vendimeve gjyqësore "post mortum", t'i shpallin si "armiq të popullit" dhe si të tillëve t'ua konfiskojnë edhe tërë pasurinë.
Sa për ilustrim po citojmë vendimin e Gjykatës së Rrethit në Gjilan, Konf. nr. 283/46. dt. 9.02.1946, me të cilin Misin Xheladinit (një vit pas likuidimit) i konfiskohet mulliri dhe 7,16 hektarë tokë të punueshme, kurse për të vejën, 3 djemtë dhe 6 vajzat, pra, për gjithsej 10 anëtarë, nuk lihet as minimumi për ekzistencë. Prandaj, në bazë të ankesës të të birit Metushit, Gjykata e Qarkut në Ferizaj me konkluzionin e vet Pl. 58/46 dt. 10.04.1946, bën ndryshimin e pjesshëm të vendimit të Gjykatës së Rrethit në Gjilan, kështu që për 10 anëtarët e familjes së ngushtë, në emër të minimumit për ekzistencë, lihet në shfrytëzim ara "Brestovi" në atarin e fshatit Viti, në sipërfaqe prej 3,50 hektarësh, ndërsa pjesa tjetër e vendimit mbetet në fuqi.
Kështu, si duket, kaluan edhe familjet e të likuiduarve të tjerë, të shpallur si armiq të popullit vetëm në bazë të faktit se janë likuiduar nga pushteti i ri pa kurrfarë gjykimi, në vend se të bëheshin hetime pse dhe si u likuiduan.
Shënim: Koautor edhe H. Halabaku ("Zëri, Nr. 1397 dt. 6.IV.1991).
[Marrë nga libri “Trojet që nuk shuhen (Ribotim i zgjeruar)”, Tahir Z. Berisha, Botues NPB “Valton”, Prishtinë, 1995, fq.128-139]

No comments:
Post a Comment